Krejt Kosova në Shkodër

  • 01 October 2016 - 08:17
Krejt Kosova në Shkodër

Interesim i jashtëzakonshëm për sfidën Kosovë - Kroaci

Të enjten e 6 tetorit Shkodra do të frymojë krejtësisht për Kosovën. I madh e i vogël nga të gjitha qytetet kosovare atë ditë do ta kenë vëmendjen në Shkodrën e Shqipërisë, ku do të zhvillohet ndeshja e dytë e Kosovës, në kuadër të eliminatoreve për Botërorin "Rusia 2018"

Përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki, të dielën do ta publikojë listën e futbollistëve të Kosovës për dy ndeshjet e radhës, që i zhvillon fillimisht ndaj Kroacisë më 6 tetor, ndërsa tri ditë më vonë ndeshet me Ukrainën. Megjithatë, për dallim nga herët e tjera, kur gjithmonë publikimi i listët ka zgjuar kureshtje të madhe, këtë herë vëmendja kryesore e adhuruesve të futbollit kosovar është sesi të sigurojnë një biletë për ta parë ndeshjen Kosovë - Kroaci. Edhe pse jo zyrtarisht, flitet se biletat tashmë janë shitur dhe gjithçka që ka mbetur në treg janë biletat VIP që kushtojnë 130 euro, e që për buxhetin tonë duken bukur të larta. Kjo edhe është arsyeja që i ka dëshpëruar futbolldashësit kosovarë, të cilët për herë të parë në histori të tyre do të kenë mundësi ta shikojnë Kosovën si nikoqire të një ndeshjeje eliminatore, siç është kjo ndaj Kroacisë. Sido që të jetë, Federata e Futbollit e Kosovës në këtë situatë nuk mund të bëjë shumë, pasi kapaciteti i stadiumit "Loro Boriçi" është vetëm 16 mijë bileta, aq sa edhe ka lëshuar në treg FFK-ja, të cilat duket se nuk mjaftonin, ngase interesimi ishte shumë i madh. "E kam pasur ëndërr të shoh njëherë Kosovën duke luajtur ndeshje të tilla dhe asnjëherë nuk më ka shkuar mendja se do të mbes, në shtëpi për shkak të një bilete. Gjithsesi, herën tjetër shpresoj se do ta shoh, por jo më në vendet tjera, por besoj se do të rregullohen stadiumet në Prishtinë e Mitrovicë dhe do ta kemi më afër Kosovën", ka thënë Azem Gashi, qytetar nga Prishtina, i cili duke llogaritur edhe shpenzimet e rrugës deri në Shkodër, buxheti i tij ia mundësonte të blinte një biletë 7 ose 15 eurove, më shumë jo, por ja që biletat me këso çmime ishin shitur shumë herët, shkruan gazeta Kosova Sot.

Shkodra, destinacioni i vetëm

Të enjten Shkodra do të frymojë krejtësisht për Kosovën. I madh e i vogël nga të gjitha qytetet kosovare këtë ditë do ta kenë vëmendjen në Shkodër, dikush nga vendi i ngjarjes, e dikush përmes ekraneve televizive. Kosova për herë të parë do të jetë organizatore e një ndeshjeje të madhe, dhe pa dyshim nuk ka pasur sesi të jetë më mirë sesa përballja me një shtet mik. Kroacia, llogaritet favorite, por futbollit asnjëherë nuk i dihet. Përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki, tashmë e ka të qartë se me çfarë ekipi do t'i kundërvihet kroatëve, dhe se ai tashmë i ka dërguar edhe ftesat lojtarëve, por gjithçka do të bëhet publike të dielën. "Më 2 tetor do ta kem një konferencë për shtyp dhe aty do të zbulohet gjithçka", ka njoftuar Bunjaki, i cili si zakonisht vazhdon të mbetet shumë "sekret" deri në momentet e fundit, ani pse këtë herë gjërat janë më të thjeshta për dallim nga takimi i parë kur shumë lojtarë nuk e kishin të qartë, nëse do të mund të luajnë apo jo ndaj Finlandës, për shkak të lejes nga UEFA.

Me Ukrainën krejt ndryshe

Përderisa me Kroacinë, interesimi por edhe çmimi i biletave është jashtëzakonisht i madh, vetëm tri ditë më vonë në ndeshjen ndaj Ukrainës, që zhvillohet në Poloni, gjërat ndryshojnë rrënjësisht. Ukraina si nikoqire e kësaj ndeshjeje ka bërë me dije se biletat janë me çmim tejet të vogël. Tifozët kosovarë që planifikojnë të udhëtojnë në Poloni për ta ndjekur ndeshjen e Kosovës kundër Ukrainës, nuk do të përballen me bileta të shtrenjta. Bileta më e lirë do të jetë 3.45 euro, kurse do të vazhdojnë me 8.64 euro, 9.50 euro deri tek ato "VIP" në çmim prej 20.73 euro. Gjithsesi, ajo që duhet thënë është se Kosovës në këtë ndeshje nuk pritet t'i mungojë mbështetja, pasi shumë kosovarë që jetojnë jashtë vendit planifikojnë të udhëtojnë për ta përcjellë këtë takim.

(Kosova Sot)