Mitrovicasit, të motivuar në Minatori'

  • 22 October 2016 - 08:47
Mitrovicasit, të motivuar në Minatori'

S kuadrat mitrovicase janë ballafaquar me shumë probleme në vitet e fundit,shkruan gazeta Kosova Sot.
Në vitin 2012, KB Trepça fitoi titullin dhe Kupën, duke kurorëzuar një edicion shumë të suksesshëm, por më pas filluan punimet në palestrën 'Minatori', që iu shkaktoi shumë telashe, sidomos klubeve, por edhe adhuruesve të sportit me dorë. Klubet u detyruan që stërvitjet t'i zhvillojnë ku munden, derisa ndeshjet si vendas t'i zhvillonin në qytetet e tjera. Kjo iu shkaktoi shumë telashe dhe 'shtyri' klubet në një krizë të thellë. Pas katër vjetësh më në fund klubet mitrovicase janë rikthyer në folenë e tyre.

Motiv shtesë të luash në 'Minatori'

Trepça këtë vit debutoi në Ligën Ballkanike. Në takimin e parë pësuan nga Tirana, kurse në mesjavë mposhtën Karpos Sokoli 2000 me rezultat 82:80, ku mitrovicasit fituan falë edhe përkrahjes së madhe nga 'Torcida'. Pikërisht palestra 'Minatori' është njëra nga armët kryesore të Trepçës. Basketbollisti Samir Zekiqi thotë se të luash në këtë palestër është motiv shtesë. "Është përparësi të luash në 'Minatori' dhe është një motiv shtesë të luash në atë atmosferë të krijuar nga 'Torcida', që mbetet një tifozeri e flaktë dhe vetëm ata dinë të bëjnë atmosferë të jashtëzakonshme. Kjo palestër na ka munguar shumë dhe normalisht se jemi shumë të lumtur që jemi rikthyer në folenë tonë", ka thënë Zekiqi për "Kosova Sot". Ai shpreson që në të ardhmen kushtet do të përmirësohen edhe më shumë. "Kushtet në përgjithësi janë mirë, por besoj që në të ardhmen do të përmirësohen ende, por nevojitet kohë dhe punë e përkushtim maksimal prej të gjithë atyre që kanë përgjegjësi për këtë drejtim e të gjithë së bashku të punojmë më shumë", ka shtuar basketbollisti i Përfaqësueses së Kosovës.

Të gatshëm për duelin ndaj Pejës

Trepça në vitet e fundit ka qenë në krizë të thellë, duke mos arritur të luftojë për trofe, pasi Sigal Prishtina dhe Peja, kishin bërë shumë investime. Megjithatë, këtë vit pritet të jetë më ndryshe, pasi është rikthyer katërshja e madhe e basketbollit kosovar. Sonte, Trepça do të pret Pejën nga ora 18:30 në 'Minatori', në derbin e rivalëve të vjetër. Zekiqi ka thënë se janë të gatshëm për duelin ndaj pejanëve. "Jemi të gatshëm, pasi dihet se kemi një kundërshtar të fortë dhe duhet të jemi të përqendruar deri në fund. Unë pres angazhim maksimal nga vetja dhe bashkëlojtarët e mi dhe t'i kryejmë detyrat tona", ka shtuar basketbollisti mitrovicas. Trepça ka dy fitore në elitën e basketbollit kosovar këtë edicion, derisa dy fitore ka edhe Peja në Superligë. Kjo sfidë pritet të jetë mjaft interesante, ku njëra skuadër do të njoftohet me humbjen e parë në Superligë për këtë edicion. 

(Kosova Sot)