Pa sponsor e pa investime

  • 24 October 2016 - 08:28
Pa sponsor e pa investime

Mungojnë edhe lojtarët e huaj

Hendbolli është njëri nga sportet në Kosovë, ku ka shumë pak investime e sponsor. Në këtë aspekt dallohet Besa Famiglia, kurse klubet e tjera ballafaqohen me shumë probleme. Në vitet e fundit kanë munguar sponsorët e investimet, derisa edhe lojtarët paguhen shumë pak ose fare. Klubet janë sot për nesër

S uperliga e Kosovës në hendboll ka mbetur shumë e varfër krahasuar me sportet e tjera, si futbolli apo edhe basketbolli. Konkurrenca nuk ka qenë e fortë në vitet e fundit, pasi Besa Famiglia ka dominuar. Skuadra pejane përveç trofeve është dalluar edhe në organizim, por edhe në paga të lojtarëve. Shumica e klubeve të tjera ballafaqohen me probleme, kurse disa këtë vit janë organizuar më mirë. Megjithatë, hendbolli kosovar vazhdon të ballafaqohet me shumë probleme, si në cilësi e rënie të tifozërisë. 

Mungojnë edhe hendbollistët e huaj Në vitet e fundit kanë munguar edhe sponsorët. Trajneri i hendbollit, Taib Kabashi, shprehet se sikur të kishin më shumë sponsorë, atëherë, edhe cilësia do të ishte krejt ndryshe. "Mendoj se kriza që ka kapluar Kosovën ka prekur edhe hendbollin. Ne shohim se në basketboll ka shumë sponsorë dhe ka lojtarë të huaj. Në Superligë, vetëm Besa Famiglia ka lojtarë të huaj. Asnjë lojtar tjetër i huaj nuk është. Kjo për arsye të mungesës së sponsorëve dhe investimeve. Besoj se sikur të kishte sponsor, atëherë, do të kishim shumë më shumë suksese, si në garat vendore, ashtu edhe në ato ndërkombëtare. Hendbolli ka traditë te ne, dhe vetëm duhet investime që të kemi suksese", është shprehur Kabashi për "Kosova Sot". Ai drejton Trepçën, skuadër që është organizuar shumë më mirë në dy vitet e fundit, dhe tashmë janë rikthyer edhe në fole, në palestrën 'Minatori', që është e gatshme pas katër vjetësh.

Luajnë pa para Por, gjendja e disa klubeve është shumë e rëndë. Për këtë arsye hendbollistët paguhen pak ose fare. "Në hendbollin kosovar paga nuk ka. Besa Famiglia është e rregullt, kurse klubet tjera ballafaqohen me probleme. Ne në klubin tonë, nuk kemi paga të mëdha, megjithatë, premtimet i kemi realizuar 100 %. Kjo sigurisht se ua vështirëson punën lojtarëve, pasi nëse nuk paguhen e kanë vështirë të motivohen dhe detyrohen të punojnë edhe punë tjera. Shumica e klubeve në Kosovë nuk kanë stabilitet. Mund të them se janë sot për nesër. Tashmë është konfirmuar edhe kriza e Prishtinës", ka shtuar ish-përzgjedhësi i Kosovës. Për shkak të cilësisë jo të lartë dhe mungesës së rivalitetit kanë munguar edhe tifozët. "Sa i përket shikueshmërisë në Mitrovicë jam i kënaqur dhe kemi pasur 1 mijë shikues për ndeshje. Klubi ynë ka traditë dhe për këtë arsye kemi edhe tifozë. Besa Famiglia është kampione dhe dominon, por nuk ka shumë shikues. Peja ka traditë në basketboll, ose ndoshta edhe për shkak të mungesës së rivalitetit kanë munguar edhe tifozët në palestrën 'Karagaçi'. Kjo varet edhe prej traditës. Edhe Kastrioti është organizuar më mirë dhe ka shumë tifozë. Tradita luan shumë rol. Por, hendbolli kosovar ka mbetur më prapa, pasi kanë munguar sponsorët e investimet, e kjo sigurisht se ka ndikuar edhe në cilësi e rivalitet, por edhe në rënie të shikueshmërisë", ka përfunduar Taib Kabashi. 

(Kosova Sot)