Tifozët ia vënë flakën stadiumit (Video)

  • 24 October 2016 - 13:30
Tifozët ia vënë flakën stadiumit (Video)

Futbolli grek dhe brazilian nuk kaloi pa trazira në këtë fundjavë

Në Pire, Olympiacosi priti PAOK-un në një sfidë të zjarrtë që gjatë viteve të fundit ka qenë përherë problematike për shkak të rivalitetit mes tifozerive. Edhe këtë herë, dueli mes kryeqytetasve dhe skuadrës nga Selaniku nuk ka zhgënjyer në pritshmëri.

Gjithçka shkoi mirë deri në momentin e golit të fitores 2-1 të shënuar nga serbi Milivojeviq në minutat shtesë, transmeton Supersport. Ai moment shpërtheu në festë tifozët vendas që hodhën flakadanë dhe sende tymuese në fushë duke e detyruar trajnerin mik, Vladimir Ivic të largonte skuadrën nga fusha e blertë.

Pas këtij momenti edhe gjyqtarët e ndeshjes u larguan nga fusha e stadiumit “Karaiskaqis” duke krijuar një situatë të paqartë pasi në tunel ata i bënë konfuz lojtarët për vendimin e marrë. Edhe mediat greke nuk dinë të japin një përgjigje të saktë nëse ndeshja u konsiderua e mbyllur apo gjatë ditëve të ardhshme do të merret një vendim në lidhje me ngjarjet e ndodhura në stadium.

Trazira u regjistruan edhe në Brazil ku policia u përlesh me tifozët e Corinthians përpara ndeshjes ndaj Flamengos. Gjithçka ndodhi në stadiumin “Maracana” ku forcat e rendit tentuan të mbronin sektorin e tifozëve vendas.

Flamengo që është edhe klubi më popullor në vend, ishte skuadra pritëse në sfidën me Corinthians, klubi i dytë më i ndjekur në Brazil dhe kjo ishte hera e parë që stadiumi “Maracana” hapte dyert për futbollin që prej datës 1 Mars për shkak të përgatitjeve për Lojërat Olimpike.

(Kosova Sot)