Dy ish sulmuesit e Kombëtares në garë për përzgjedhës të U21

  • 24 October 2016 - 22:15
Dy ish sulmuesit e Kombëtares në garë për përzgjedhës të U21

Erjon Bogdani dhe Alban Bushi, dy miq të mirë, janë në garë për të marrë drejtimin e kombëtares Shpresa.

Në përfundim të edicionit kualifikues për U-21, Redi Jupi duket praktikisht se e ka mbyllur aventurën e tij në drejtimin e kësaj skuadre. Në këtë moment, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit është duke shqyrtuar këto dy kandidatura me përparësi.

Burime të “Panorama Sport” kanë bërë me dije se në tryezën e kreut të institucionit të futbollit në vend, emrat e dy ish-bomberave kuqezi janë në krye të listës së alternativave.

Bogdani që aktualisht është në stafin e Kombëtares së De Biazit dhe Bushi që është në rolin e menaxherit të kuqezinjve janë edhe dy emra ndër më të vlerësuarit dhe të besuarit për numrin një të institucionit të futbollit në vend.

Krahas përgatitjes që ka secili prej tyre, Bogdani dhe Bushi kanë edhe marrëdhënie mjaft të mirë me presidentin e FSHF-së, kanë besimin e këtij të fundit dhe ky është një nga kriteret thelbësore për përzgjedhjen e trajnerit të ekipit Shpresa. 

(Kosova Sot)