Veteranët e NBA-së

  • 25 October 2016 - 09:01
Veteranët e NBA-së

Vitet kalojnë, por ata vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes sepse klasin e kanë me bollëk madje u tepron. Janë të shumta skuadrat e NBA-së që kanë në ekipin e tyre lojtarë që kanë arritur moshën 35-vjeçare. Por, cilët janë veteranët që pritet të shkëlqejnë edhe në edicionin 2016- 2017,përcjell gazeta Kosova Sot. Në këtë listë mungon Vince Carter, basketbollisti më i vjetër aktualisht në NBA, ndërsa katër prej tyre janë të huaj. I pari është Dirk Nowitzki. Gjermani, qershorin e kaluar mbushi 38 vjet, por mosha nuk ndihet aspak mbi shpatullat e tij, sepse Nowitzki vazhdon të mbetet një pikë referimi te Dallas Mavericks. Gjermani i cili në vitin 2011 udhëhoqi ekipin teksan drejt titullit kampion në NBA, edicionin e kaluar regjistroi statistika me të vërtetë mbresëlënëse. 18.3 pikë për ndeshje dhe 6,5 kërcime në 31.5 minuta lojë, shifra këto që tregojnë se Nowtizki vazhdon të jetë një basketbollist shumë i vlefshëm. Edhe këtë vit tifozët e Dallas-it presin shumë nga ai pasi Dirk e ka klasin dhe eksperiencën për të zhvilluar një tjetër edicion të madh.

Gasol e Ginobili

36-vjet i mbushi në korrik, por Pau Gasol këtë verë ndërroi sërish skuadër duke firmosur me San Antonio Spurs një skuadër që lufton për titullin kampion në edicionin e ri. Pavarësisht moshës në Rio De Janiero, Pau Gasol ndihmoi Spanjën të fitonte medaljen e bronztë, duke u shpallur pikëshënuesi i katërt më i mirë i Olimpiadës me 19.5 pikë për ndeshje. Te Chicago Bulls edicionin e kaluar nuk shkëlqeu, por te San Antonio me një trajner si Gregg Popovich në bankinë të gjithë presin shpërthimin e tij. S'është Pau Gasol veterani i vetëm që ka në skuadër San Antonio. Pasi edhe Manu Ginobili me eksperiencën e tij vazhdon të jetë shumë i vlefshëm për Spurs-at në ato pak minuta që zbret mbi parket gjatë një ndeshjeje. Në Rio në moshën 39- vjeçare, Ginobili zhvilloi ndeshjen e tij të fundit me përfaqësuesen argjentinase, ndërsa po bëhet gati për të luajtur edicionin e tij të 15-të në NBA. Një si ai është gjithmonë i rëndësishëm dhe pritet të jetë edhe në edicionin e ri.

Chicago pret shumë nga Wade

Nga një argjentinas te një tjetër. Luis Scola numëron tashmë 36 vite mbi supe dhe këtë verë u transferua nga Toronto Raptors te Brooklyn Nets. Drejtuesit e skuadrës njujorkeze besojnë shumë te aftësitë e tij, ndërsa tifozët e Nets presin që Scola të përjetojë një rini të dytë në 'Barclays Center'. Pas katër të huajve i pesti dhe i fundit në këtë listë, është një amerikan. 35 vjet do t'i mbushë në janar të vitit të ardhshëm, por Dwayne Wade vazhdon të mbetet një emër i madh në NBA. Pas 13 viteve te Miami Heat, skuadër me të cilën fitoi tre tituj kampion, Wade ndryshoi skuadër në verë, duke zgjedhur vendlindjen e tij Chicagon për të vazhduar karrierën. Tifozët e Bulls-ave shpresojnë që Wade me magjitë e tij ta udhëheqë skuadrën nga Ilionois drejt një edicioni të madh.

(Kosova Sot)