Resuli: Kemi shanse për kualifikim

  • 25 October 2016 - 13:38
Resuli: Kemi shanse për kualifikim

Menjëherë pasi është njohur me verdiktin e shortit të Eliminatoreve të Kampionatit Europian të vitit 2017-2018, trajneri i ekipit kombëtar të futsallës Erind Resuli është shprehur për shortin që e vë përballë Anglisë, Maltës dhe Bullgarisë. Në intervistën e tij trajneri kuqezi, flet për kundërshtarët në grupin D eliminator dhe për paraqitjen që pret nga skuadra e tij.

-Cila është përshtypja juaj për këtë short?

Është e tepër të them por për një skuadër si Shqipëria shorti gjithmonë do të jetë i vështirë. Në këto eliminatore ne do të luajmë kundër skuadrave të Anglisë, Bullgarisë dhe Maltës. Të trija kanë specifikat e tyre dhe paraqesin vështirësi në disa plane.

-Çfarë duhet të bëjë Shqipëria, për t’u paraqitur sa më mirë në këto eliminatore?

S’ka ndonjë gjë të paditur në këtë mes. Ne duhet të japim maksimumin në fushën e lojës. Pastaj kuptohet për çdo ndeshje do të ketë detyra specifike të cilat duhet t’i zbatojmë me rigorozitet. Kur luajmë të organizuar jemi vërtet të rrezikshëm. Por këtë, duhet ta bëjmë në vijueshmëri, prandaj kërkoj sa më shumë përqendrim nga skuadra.

-A është e privilegjuar Bullgaria, meqenëse ndeshjet e turneut për grupin D eliminator, zhvillohen në këtë vend?

Mendoj se është një përqindje e vogël që i favorizon vendasit, por gjërat luhen në fushën e lojës dhe fakti se ata luajnë në shtëpi, nuk do të sjellë ndonjë ndryshim të madh. Mendoj se lufta do të përqendrohet mes Anglisë, Bullgarisë dhe Shqipërisë.

-Cila është gjendja e skuadrës në momentin që po flasim?

Unë mund t’ju garantoj, që skuadra ka ardhur duke u rritur dhe përmirësuar në disa drejtime. Ne do të kryejmë edhe një grumbullim për të kolauduar sa më mirë dhe për të qenë gati për këto eliminatore.

(Kosova Sot)