'Loro Boriçi' gati për Kombëtaren

  • 26 October 2016 - 20:38
'Loro Boriçi' gati për Kombëtaren

Stadiumi "Loro Borici" po rikthehet në gjendjen optimale pas problemeve të shfaqura menjëherë pas dy ndeshjeve të fundit të njëpasnjëshme të Kosovës me Kroacinë dhe Shqipërisë me Spanjën

Ndërhyrja ka qenë e menjëhershme në tapetin e stadiumit të ri, i cili është rimbjellë për të pasur një lidhje më të mirë me bazamentin e tij. Specialistët e kompanisë greke që kanë ndërtuar dhe sjellë këtë fushë, kanë bërë inspektimin e radhës duke dhënë garancitë për rikuperimin e plotë.

“Situata e fushës paraqitet në gjendje shumë të mirë. Ka mbirë bari i ri, sepse këto janë fusha që në dimër duhet të mbillet me lolium, kurse në verë është bermuda. Fusha është në kushte shumë të mira.

Në datën 4 do të vijnë inspektorët e UEFA-s që do ta inspektojnë, por mesa pamë ne edhe rrënjëzimi është bërë shumë i mirë, pra fusha ka për të qenë në kushte perfekte. Nuk diskutohet që në ndeshjen me Izraelin do të jetë gati dhe pastaj mund të luajë edhe Vllaznia pa problem”, thotë Arben Dervishaj, mbikëqyrës i Investimeve Infrastrukturore në FSHF, shkruan Top Channel.

Në të dy stadiumet e rinj të ndërtuara në Shqipëri, në atë të Elbasanit dhe të Shkodrës, është vënë re i njëjti problem me fushat, por për stadiumin e ri kombëtar që po ndërtohet, Dervishaj thotë që janë marrë të gjitha masat.

“Fusha e Qemal Stafës nuk është se do të ketë ndonjë ndryshim, por aty do t’i kushtojmë më shumë rëndësi problemit të ndriçimit të fushës, meqenëse Qemal Stafa do të jetë stadium i mbyllur dhe ndonjëherë mund të ketë probleme me diellzimin dhe ne do ta plotësojmë me llamba ultraviolet që bëjnë të mundur rritjen e barit”, saktëson Dervishaj. 

(Kosova Sot)