Terrenet sportive, 'thembra e Akilit'

  • 27 October 2016 - 08:23
Terrenet sportive, 'thembra e Akilit'

Balta, ende prezente në stadiumet tona

Ndeshjet e futbollit vazhdojnë të luhen në baltë. Sportistët ankohen se kushtet janë shumë të vështira dhe kjo iu vështirëson të dëshmojnë cilësitë e tyre. Në Kosovë mungojnë fushat ndihmëse, që janë jetike për futbollin. Të gjitha grupmoshat luajnë e stërvitin në një terren dhe kjo bën që ato të dëmtohen. Kur kanë kaluar 17 vjet pas luftës, infrastruktura mbetet pika më e dobët e sportit kosovar.

Kur kanë kaluar 17 vjet pas luftës, infrastruktura ka mbetur shumë prapa. Këtë po e përjeton edhe futbolli. Ndeshjet vazhdojnë të luhen në kushte shumë të vështira, derisa siç dihet Përfaqësuesja e Kosovës ndeshjet si vendas i zhvillon në Shkodër të Shqipërisë, pasi në Kosovë, nuk ka stadiume që i plotëson kriteret e kërkuara nga UEFA. Të gjitha grupmoshat luajnë e stërvitin në një terren, që ngarkohet shumë, dhe nga kjo edhe dëmtohet, derisa mungojnë edhe fushat ndihmëse. Këtu pa faj nuk mbet as Ministria e Sportit dhe Komunat.

Punojnë joprofesionistët Ndeshjet e futbollit vazhdojnë të luhen në kushte shumë të vështira, derisa tashmë kemi hyrë edhe në stinën e vjeshtës, ku ka më shumë reshje të shiut. Megjithatë, po të ishin fusha në bazë të standardeve evropiane kjo nuk do të ishte problem. Trajneri i futbollit, Ardian Llumnica, është shprehur se mungesave e fushave ndihmëse, po i rëndon edhe ato kryesore. "Mosverifikimi i pronave sportive, përkatësisht stadiumeve ka bërë që të mos investohet aq sa duhet. Asnjë person apo biznesmen nuk investon në një pronë kur nuk është e tij, madje shumë stadiume në Kosovë janë aq të ndërlikuara në pronësi, sa që janë të ish-korporatave të ndryshme, qoftë si pronësi, qoftë si investime të atëhershme. Mungesa e fushave ndihmëse për stërvitje dhepër gjeneratat e reja ka bërë që në stadiume tona të ketë baltë dhe të mos jenë në nivelin e duhur", ka thënë Lluminca për "Kosova Sot", duke shtuar: "Asnjë terren sportiv nuk mund t'i përballoj stërvitjeve të të gjitha gjeneratave, ndeshjet e tyre, stërvitjet e ekipit të parë dhe ndeshjet e tyre, e kësaj kur i shtohet që nuk kemi edhe persona 'profesional' apo adekuat për mirëmbajtjen e tyre, atëherë nuk kemi assesi si të kemi terrene të mira aq më tepër në stinën e vjeshtës dhe të pranverës së hershme", shtoi ai

Fajësohen edhe Ministria e Komunat Në vitet e fundit kanë munguar investimet në futboll, derisa pa faj nuk mund të mbeten as Ministria e Sportit dhe Komunat. "Ende kemi klube pa status të zgjidhur, apo shumica janë OJQ, kemi prona apo stadiume që nuk dihet saktësisht pronësia e tyre dhe kjo ka bërë që jo vetëm të mos investojnë biznesmenët, por edhe komunat e Ministria e Sportit. Duke mos përjashtuar edhe faktin se në klubet tona kemi kryesi apo sponsor që nuk mund t'i plotësojnë as gjërat elementare për një klub, e lërë më të investojnë në infrastrukturë. Nuk mund ta përjashtojmë as faktin, se as Ministria dhe Komunat përkatëse kanë qenë shumë naive në investimet në sport, nuk kanë hartuar strategji për bashkëpunime publikoprivate, e të ngjashme", përfundoi Ardian Llumnica. 

(Kosova Sot)