Bashkimi do të përpiqet të përmirësohet

  • 27 October 2016 - 08:30
Bashkimi do të përpiqet të përmirësohet

"Beroe e ka mbajtur ritmin gjatë gjithë takimit dhe në fund ne i humbëm disa topa shumë të lehtë, të cilët ishin përcaktues për këtë duel. Unë nuk mund të jem i lumtur pas humbjes, por ne do të përpiqemi të përmirësohemi dhe të luajmë në një nivel krejt tjetër në takimin e radhës", është shprehur Dragan Radoviq, trajner i Bashkimit 

Skuadra e Bashkimit nga Prizreni assesi nuk po arrin ta gjejë rrugën e fitores në edicionin e ri të Ligës Ballkanike (BIBL). Në tri ndeshje të zhvilluara deri më tani në kuadër të Grupit A ky klub ka regjistruar po aq disfata, ku së pari është mposhtur nga Kozuv-i në Gjevgjeli të Maqedonisë, më pas para shikuesve të tyre nga Kumanova dhe së fundi është mundur në Stara Zagora të Bullgarisë nga ekipi i Beroe-s. Dhe, pa dyshim se ky nuk është një start që e kanë pritur drejtuesit e kësaj skuadre, por as edhe tifozët e tyre dhe adhuruesit e basketbollit në përgjithësi, duke marrë parasysh investimet e bëra si në shtabin teknik, ashtu edhe në përforcimet me lojtarë të huaj.

Ankohet për pozitat 4 dhe 5 Trajneri i Bashkimit, Dragan Radoviq, pas humbjes nga Beroe ka thënë se do të përpiqen të përmirësohen për ndeshjet e radhës. "Ne kemi shumë pak opsione dhe rotacion shumë të shkurtër në pozitat 4 dhe 5 gjë që ishte vendimtare në këtë ndeshje. Beroe e ka mbajtur ritmin gjatë gjithë takimit dhe në fund ne i humbëm disa topa shumë të lehtë, të cilët ishin përcaktues për këtë duel. Unë nuk mund të jem i lumtur pas humbjes, por ne do të përpiqemi të përmirësohemi dhe të luajmë në një nivel krejt tjetër në takimin e radhës", është shprehur Radoviq. Në fakt Beroe është ekipi që kryeson në tabelën e Grupit A me 3 ndeshje e po aq fitore. Në xhiron e katërt të Ligës Ballkanike prizrenasit janë nikoqirë të Sigal Prishtinës, ndeshje kjo që është në program të luhet më 28 nëntor në "Sezai Surroi". Këto dy klube janë takuar në start të edicionit të ri në Superligën e Kosovës dhe fitore pati regjistruar Bashkimi. 

(Kosova Sot)