Rënie e shikueshmërisë

  • 28 October 2016 - 08:45
Rënie e shikueshmërisë

Skuadrat nuk janë sikur vitin e kaluar.

Kriza financiare, që ka kapluar Kosovën, duket se ka prekur edhe basketbollin. Kjo vërehet edhe në palestrat kosovare, ku ka më pak tifozë se sa viteve të kaluara. Ndoshta kjo është edhe për faktin se është fillimi i edicionit. Gjithashtu, pjesëmarrja në tri gara ka bërë që tifozët t'i zgjedhin ndeshjet me kujdes që duhet t'i përcjellin. Një faktor tjetër është edhe cilësia e basketbollistëve të huaj, kurse Sigal Prishtina dhe Peja ishin më të forta edicionin e kaluar,shkruan gazeta Kosova Sot.

Kriza ka prekur edhe tifozët 

 Legjenda e Bashkimit, Valentin Spaqi, thotë se kriza ka ndikuar shumë në rënien e shikueshmërisë. "Mendoj se nuk ka të bëjë me interesimin për basketboll, por me standardin e popullsisë, sepse populli ynë ka më shumë brenga se sa të shikoj një ndeshje basketbolli. Shumë ndeshje, është një tjetër arsye, pasi edicioni është i gjatë, derisa Prishtina e Peja garojnë në tri gara. Për shikuesin është e vështirë t'i përcjellë të gjitha ndeshjet", ka thënë Spaqi për "Kosova Sot". Ai ka shtuar se ekipet kosovare nuk janë inferiore ndaj atyre të FIBA Europe Cup. "Është kënaqësi t'i shohësh ekipet si Prishtina e Peja të garojnë në FIBA Europe Cup. Ky kompeticion ka qenë ëndërr për neve në Kosovë. Cilësia nuk mungon, sepse ndeshjet janë të barabarta. Peja shënoi fitoren e parë në këtë garë, kurse Prishtina ishte shumë afër të shënojë fitore dhe kjo dëshmon se cilësia nuk mungon. Duhet vetëm koordinim. Ekipet duhet që të mos i ndryshojnë lojtarët për dy-tri vjet, pasi aty luajnë ekipe që janë të kompletuara", ka shtuar ai

Cilësia e dobët e lojtarëve të huaj

Legjenda e basketbollit kosovar, Artan Mehmeti ka thënë se tashmë shikuesit janë vetëdijesuar dhe nuk është interesimi sikur viteve të kaluara, pasi edhe basketbollistët e huaj që po vijnë nuk janë aq cilësorë. "Këtë edicion ekipet nuk kanë zgjedhur ashtu siç duhet basketbollistët e huaj. Publiku është vetëdijesuar dhe nuk shkojnë në palestra, kur basketbollistët nuk janë aq cilësor. Buxheti i klubeve ka bërë që edhe skuadrat të mos përforcohen me basketbollistë shumë cilësorë, ku vërehet se niveli nuk është i lartë. Mendoj se kjo është njëra nga arsyet. Gjithashtu pjesëmarrja në garat evropiane, e ka zbehur Superligën e Kosovës në basketboll. Shpresoj se tifozët do të kthehen në palestrat kosovare. Prishtina e Peja nuk janë të forta si vitin e kaluar. Edhe kjo normalisht ka ndikuar që të ketë më pak tifozë", theksoi Mehmeti për gazetën tonë. 

(Kosova Sot)