Kujdes nga Peja!

  • 28 October 2016 - 08:49
Kujdes nga Peja!

Çereku i dytë ishte ai në të cilin shpërthyen verdhezinjtë ndaj qipriotëve.

Peja e ka realizuar fitoren e parë në edicionin e saj debutues në FIBA Europe Cup. Verdhezinjtë të mërkurën mbrëma në "Karagaçi" e kanë mposhtur ekipin nga Qipro, Petrolina AEK me rezultat 87:82 në kuadër të xhiros së dytë të Grupit G në FIBA Europe Cup. Çereku i dytë ishte ai në të cilin shpërtheu skuadra pejane, kur shënoi 32 pikë, derisa kundërshtarin e saj arriti ta ndalë në vetëm 15 pikë në këtë dhjetëminutësh. Këtë disavantazh të krijuar qipriotët nuk arritën ta shkrijnë, por në çerekun e fundit ia dolën t'u rrezikojnë fitoren pejanëve, të paktën në disa çastet e fundit, atëherë edhe kur e ngushtuan dukshëm epërsinë e nikoqirëve. Megjithatë, ekipi i trajnerit Aleksandar Todorov nuk lejoi që loja e mirë e treguar gjatë gjithë ndeshjes t'u shkonte huq dhe kështu në fund Peja iu gëzua fitores në njërën prej garave më të forta në FIBA Europe,shkruan gazeta Kosova Sot.

Skuadër që nuk duhet nënçmuar

Një ndër basketbollistët më të merituar për triumfin e Pejës ndaj Petrolina AEK-ut, Alban Veseli ka deklaruar se Peja nuk është kafshatë e lehtë për kundërshtarët e Grupit G në FIBA Europe Cup. "Ne dëshmuam se Peja nuk është ekip i lehtë për skuadrat e tjera të grupit. Kemi luajtur lojë ekipore dhe gjithë lojtarët ishin në elementin e tyre. Fitore plotësisht e merituar dhe shpresojmë të kalojmë grupin, edhe pse do të jetë shumë vështirë. Mirëpo, ne treguam se jemi skuadër që nuk duhet nënç- muar dhe se po rritemi si ekip. Për këtë arsye jam optimist se gjërat sa vijnë e do të bëhen më mirë për ne", është shprehur Veseli, i cili duelin me qipriotët e ka përfunduar me 19 pikë, 3 kërcime e 3 asistime. Krahas tij me lojë të mirë te verdhezinjtë janë shquar edhe LaMarcus Reed me 23 pikë dhe Mirza Ahmetbashiq me 16 sosh. Në xhiron e radhës në kuadër të Grupit G në FIBA Europe Cup, Peja do të takohet me klubin turk Gaziantep. Ndeshja do të zhvillohet në qytetin me të njëjtin emër në Turqi më 2 nëntor. Peja në xhiron e parë u pati mposhtur nga Cluj-i në Rumani, por pavarësisht disfatës pati pasur paraqitje të mirë. 

(Kosova Sot)