Hiddink largohet nga stoli i Holandës

  • 29 June 2015 - 23:30
Hiddink largohet nga stoli i Holandës

Guus Hiddink i jep lamtumirën stolit të Holandës pak muaj pasi mori përsipër ta udhëhiqte kombëtaren portokalli drejt Euro 2016. Lajmin e bën të ditur Federata Holandeze e Futbollit që zgjidh marrëveshjen me trajnerin, i cili i jep fund aventurës që zgjati rreth 1 vit. 68-vjeçari e lë Holandën në duart e zëvendësit të tij, Danny Blind, i cili duhet të ndryshojë situatën pasi “tulipanët” renditen në vendin e tretë të grupit eleminator dhe rrezikojnë ndeshjen play off për një biletë drejt Francë 2016. Kjo është hera e dytë që Hiddink lë stolin e kombëtares së vendit të lindjes. Ai e mori detyrën gjatë muajit Gusht të vitit të shkuar pas largimit të Louis Van Gaal, i cili arriti deri në gjysmëfinalen. Në 10 ndeshje zyrtare me Holandën, Hiddink numëron 4 fitore, 1 barazim dhe 5 humbje. Kombëtarja portokalli është 5 pikë larg Islandës kryesuese të Grupit A dhe 3 pikë larg Republikës Çeke. Ekipi i tij u mund në transferat e Çekisë dhe Islandës, ndërsa la pikë edhe në shtëpi kundër Turqisë duke përkeqësuar pozitat në klasifikim. Arritjen më e madhe me Holandën e regjistroi në Botërorin 1998 ku arriti deri në fazën gjysmëfinale.