Cana në Bundesligë

  • 30 June 2015 - 15:14
Cana në Bundesligë

Mbrojtësi i Lazios, Lorik Cana mund të transferohet në Bayer Leverkusen, gjatë këtij afati kalimtar të verës. 

Ditë vendimtare për të ardhmen e Kapitenit të Kombëtares shqiptare.

Të paktën duke i besuar asaj që shkruajnë mediat italiane, Lorik Cana është drejt largimit nga Lazio dhe për të në fakt nuk mungojnë ofertat në klubin kryeqytetas.

Në ditët e shkuara është folur për interesimin e Schalke 04, por siç bën të ditur në versionin e saj të printuar “Il Messagero”, lajm që e përcjell më pas edhe “TuttoMercatoweb” veç “bluve mbretërorë” në ndjekje të Lorikut është dhe një klub tjetër i Bundesligës, pikërisht Bayer Leverkusen klub që do të luajë këtë vit Champions League duke e nisur nga ndeshjet e play-off pasi e përfundoi kampionatin në vendin e 4-ët të klasifikimit.

Në të shkuarën Cana ka pranuar publikisht pëlqimin e tij për Bundesligën si një preferencë e lindur për shkak të futbollit që aplikohet aty, mënyrës se si e përjetojnë tifozët futbollin, por padyshim dhe ambicies për të vijuar një tur prestigji në kampionatet më të fortë të Europës pas eksperiencave në Ligue 1 në Francë, Premier League angleze, Superligën turke dhe së fundmi dhe Serinë A.