Wolff: Mjaft me kritika ndaj Formula 1

  • 30 June 2015 - 19:30
Wolff: Mjaft me kritika ndaj Formula 1

Pas kritikave të shumta të këtyre kohëve ndaj Formula 1 më në fund është dikush që del në mbrojtje të këtij sporti.

Bëhet fjalë për drejtorin ekzekutiv të ekipit Mercedes, Toto Wolff që në një intervistë për “Autosport” mundohet të mbrojë këtë aktivitet nga vërejtjet e shumta që janë bërë në lidhje me faktin që makinat e sotme janë shumë të lehta për t’u drejtuar, insisitimin e drejtuesve për të reduktuar konsumin apo qoftë edhe për kërcënimet e ndonjë skuadre të vecantë për t’u tërhequr nga Formula 1.

“Është gabim pasi ne jemi ambasadorët e këtij sporti” e nis deklaratën e tij 43-vjecari austriak që rrëfen se këto kohë që të gjithë po nxjerrin në pah aspektet negative të Formula 1 duke krijuar polemika të shumta. Numri 1 i skuadrës Mercedes përsa i përket administrimit financiar shpjegon se një gjë e tillë nuk është aspak e mirë madje ai shton se shpesh herë ka lexuar shumë gjëra që janë fare të pakëndshme krahasuar me cfarë thuhet për kampionatin e ri të Formula E. Toto Wolff shfrytëzoi këtë intervistë për t’iu përgjigjur më së miri të gjithë atyre që mendojnë se arsyeja që ka ndikuar për ta bërë të mërzitshme Formula 1 është pikërisht dominimi i ekipit gjerman. 43-vjecari vjenez e mbylli intervistën e tij duke deklaruar se ky sport vazhdon të ofrojë një spektakël të kënaqshëm gjithsesi Wolff në fund pranoi se për Formula 1 nuk është aspak gjë e mirë që garat të fitohen përherë nga e njëjta skuadër por sidoqoftë numri 1 i ekipit Mercedes kujtoi që ky sport ka përjetuar edhe më parë dominime të tilla.

Përsa i përket Formula 1 një temë e nxehtë këto kohë është gjithashtu edhe cështja e rinovimit të kontratës të kampionit të botës të vitit 2007, Kimi Raikkonen me Ferrarin. Javët e fundit dy drejtuesit Sergio Marchionne dhe Maurizio Arrivabene, respektivisht në rolet e presidentit dhe drejtorit ekzekutiv te Ferrari kanë përsëritur vazhdimisht se rinovimi i kontratës me një tjetër vit është në dorë të vetë pilotit finlandez dhe do të varet vetëm nga rezultatet që do të arrijë Raikkonen në pjesën e mbetur të sezonit dhe në fakt 35-vjecari skandinav në një intervistë të dhënë për programin e specializuar britanik “F1 Show” shpjegoi se janë drejtuesit ata që kanë në dorë mundësinë për të rinovuar apo jo edhe me një tjetër vit qëndrimin e tij në Maranello. Veterani finlandez e pranoi se nuk po përjeton momente shumë të mira gjithsesi Kimi nuk ka pikë dyshimi që Formula 1 vazhdon t’i pëlqejë akoma. Raikkonen shtoi gjithashtu se objektivi kryesor si për të ashtu edhe skuadrën e kuqe është për të bërë sa më mirë gjithsesi veterani nordik shprehu bindjen se shumë shpejt Ferrari do të bëhet skuadra për t’u mundur.