Shaqiri sqaron foton me Imamin

  • 01 July 2015 - 14:50
Shaqiri sqaron foton me Imamin

Feja është padyshim një ndër temat më delikate, e destinuar të ngjallë diskutime të nxehta e polemika nga më të ndryshmet.

Subjekt i saj këtë herë është kthyer pa dashje dhe Xherdan Shaqiri. Gjatë pushimeve të tij në Prishtinë, futbollisti i Interit është fiksuar në një foto ndërsa ka takuar dhe i shtrëngon dorën Imamit të Xhamisë së Madhe të Prishtinës, Shefqet Krasniqi, një personazh i shumëdiskutuar në Kosovë në lidhje me disa nga konceptet e tij. Por nëse në Shqipëri e Kosovë kjo është parë si dicka krejt normale fotoja ka ngjallur reagime të shumta në Zvicër e Itali, duke qenë se mediat kanë nxituar të përmendin se Shefqet Krasniqi është një Imam që është arrestuar në Shtatorin e 2014 me akuzën e terrorizmit dhe nxitjes së urrejtjes fetare. Tifozët kanë nisur të pyesin se cfarë bën Xherdani me një personazh kaq të diskutuar, duke e detyruar Xherdanin të sqarojë gjithcka nëpërmjet një komenti në profilin e tij zyrtar në Facebook. Koment që për të mos krijuar aludime apo keqkuptime e përcjellim të plotë, transmeton supersport.

“Imami erdhi te unë dhe kërkoi të bëjmë një foto, sic bëjnë mijëra njerëz të tjerë. Unë këtë bëra. Do të kishte qenë e pasjellshme të refuzoja. Unë nuk isha në dijeni që Imami është përfolur për terrorizmin. Unë nuk mund të pyes cdo fans që më kërkon të bëjmë një foto për karakterin e tij apo për precedentët e mëparshëm. Por unë dënoj me forcë njerëzit që përdorin popullaritetin tim për problemet personale dhe mediat që nxisin në mënyrë të panevojshme njerëzit kundër njëri-tjetrit. Të gjithë në familjen Shaqiri jemi besimtarë myslimanë, por gjithcka që është radikale duhet të qëndrojë larg nesh. I juaji Xherdan!”

Është ky sqarimi i Shaqirit, në një kohë kur debatet fetare janë kthyer në një temë të nxehtë si pasojë e zhvillimeve të fundit në arenën globale. Mesazhi është i qartë, myslimanët shqiptarë nuk mund të paralelizohen me integralizmin. Edhe ky një mesazh 100% shqiptar për të gjithë ata që nëpër botë ndoshta nuk njohin historinë fantastike të harmonisë dhe bashkëjetesës fetare në Shqipëri.