Garë e automobilizmit për femra

  • 02 July 2015 - 08:42
Garë e automobilizmit për femra

Në kohën kur Kampionati i Kosovës në automobilizëm po bëhet gjithnjë e më interesant, Federata e Auto Sportit e Kosovës (FASK) ka menduar edhe për një aktivitet tjetër, i cili megjithëse do të jetë një lloj gare, më tepër do të ketë karakter argëtues. Sipas një njoftimi nga kjo federatë, më 12 korrik, në rrugën “Tirana” në Prishtinë, do të organizohet gara automobilistike në konkurrencën e femrave. Auto Klubi Eurogoma në bashkëpunim me FASK-në tashmë janë në vlugun e përgatitjeve dhe shprehen të bindur se gjithçka do të jetë në nivelin e duhur. “E diela e 12 korrikut pritet të jetë një festë në kryeqytet, pasi përveç garës aty do të ketë edhe atmosferë të mirë, për të cilën do të përkujdesen artistë e këngëtarë tanë të ndryshëm. Pjesëmarrjen në garë e kanë paralajmëruar figura të shumta publike të vendit tonë, përfshirë ato nga jeta politike dhe e estradës. Eurogoma dhe FASK-ja janë përkujdesur që pjesëmarrëset të kalojnë në mënyrën më të mirë të mundur, ndërsa për më të suksesshmet gjithsesi që do të ketë edhe shpërblime. Afati i fundit për t’u regjistruar pjesëmarrëset është 10 korriku, ndërsa veturat do të kategorizohen sipas fuqisë së motorit përkatës. Pjesëmarrëset në garë do të paraqiten me veturat e tyre”, thuhet në njoftimin e kësaj federate.

(Kosova Sot)