Frosinone do Bashën, Strakosha drejt Salernitanës

  • 03 July 2015 - 10:15
Frosinone do Bashën, Strakosha drejt Salernitanës

Pak ditë më parë Migjen Basha i tha zyrtarisht lamtumirë Torinos në Serinë A, skuadër ku është aktivizuar që nga viti 2011. 28-vjecari la të kuptohet që dëshira e tij është të qëndrojë në Itali, por nëse vjen një ofertë e mirë nga vende të tjera si Turqia apo Gjermania, do ta merrte me konsideratë. Në elitën e futbollit italian për shërbimet e mesfushorit kuqezi ka një lloj interesi nga Frosinone, skuadër ku Basha ka spikatur në sezonin 2009-2010 duke shënuar madje 3 gola në 38 ndeshje. Skuadra e sapongjitur në Serinë A kërkon lojtarë me eksperiencë për të përballuar konkurrencën e fortë, ndaj ka hedhur sytë te shqiptari që nuk do ta kishte të vështirë përshtatjen tek kjo skuadër, transmeton supersport.

Një tjetër futbollist shqiptar që luan në Itali  pritet të ndërrojë ekip për sezonin e ardhshëm. Bëhet fjalë për portierin e tretë të Lazios. Tomas Strakosha, i cili në moshën 20-vjecare është gati të marrë përsipër rolin e titullarit te skuadra e Salertnitanës. Sipas mediave italiane portieri i Shpresave të Shqipërisë do të transferohet në Salerno në formën e huazimit te skuadra e sapongjitur në Serinë B.