NBA, Wade rinovon me Miamin, Duncan qëndron te Spurs

  • 03 July 2015 - 10:21
NBA, Wade rinovon me Miamin, Duncan qëndron te Spurs

Miami Heat arrin të bindë Dwyane Wade të qëndrojë në Florida për të paktën edhe një sezon. Shtatlarti i koshit amerikan dhe ish kampionët e NBA kanë arritur marrëveshjen nga e cila Wade do të përfitojë plot 20 milionë Dollarë. Lajmin e bën të ditur vetë sportisti, duke u dhënë fund zërave për një largim të mundshëm të Wade nga skuadra e Miamit ku ka fituar tre tituj kampion. Wade që regjistroi një mesatare prej 21.5 pikësh për ndeshje sezonin e fundit shprehet se Miami është si një familje për të dhe vendimi për të qëndruar nuk ishte aspak i vështirë. “Jam shumë krenar për kontributin që kam dhënë gjatë 12 viteve te kjo skuadër duke i rikthyer lavdinë ekipit dhe vetë qytetit me tre titujt e fituar”, shprehet Wade në një komunikatë të publikuar pak orë pas arritjes së marrëveshjes. Një tjetër lajm që po bën bujë në NBA është edhe qëndrimi i Tim Duncan te San Antonio ku do të luajë sezonin e 19 me fanellën e klubit nga Teksasi edhe pse pak muaj më parë u përfol për tërheqjen e tij. Ndërkohë, një tjetër skuadër nga Florida, Orlando Magic, prezantoi përpara mediave blerjen më të re, kroatin Mario Hezonja, i cili u shpreh i lumtur për nisjen e një eksperience të re në NBA, transmeton supersport.

“Kur nisa të luaja në Dubrovnik, trajneri më mësoi që të stërvitesha sa më shumë për të arritur majat. Objektivi im ishte që të bashkohesha me një skuadër të madhe europiane dhe ia dola mbanë kur nënshkrova për Barcelonën. Vitet në Spanjë më ndihmuan të rritesha edhe më shumë. Këtu në SHBA çdo gjë është ndryshe dhe më duhet të përshtatem sa më shpejt me këtë stil jetese”.