Aguero motivon Argjentinën, ja çfarë thotë

  • 03 July 2015 - 16:19
Aguero motivon Argjentinën, ja çfarë thotë

Aguero beson se Argjentina do të triumfojë kundër Kilit në finalen e Kupës së Amerikës që do të luhet të shtunën në orën 22:00.

“Kjo finale është mundësia e shkëlqyer për të harruar disi zhgënjimin e Kupës së Botës, ku ishim po kaq pranë triumfit. Të gjithë jemi të motivuar në maksimum, por edhe të vetëdijshëm për rrezikun e një sfide të tillë. Nëse do humbnim një tjetër finale, do ishte dramë për të gjithë ne. Shumë e vështirë që të pranohej një disfatë e dytë”, deklaroi sulmuesi argjentinas.

Sa i përket faktit që bardhekaltrit nuk e fitojnë Kupën e Amerikës që prej 22 vitesh, Aguero u shpreh: “Të jem i sinqertë, për mua nuk ka shumë rëndësi e shkuara, por mundësia që na është dhënë. Kemi bërë një paraqitje të shkëlqyer deri tani, duke siguruar kualifikimin deri në ndeshjen e fundit. Por e gjithë kjo punë do të bëhej e pavlerë po nuk e ngritëm trofeun. Për tifozët festa do të ishte edhe më e madhe, duke qenë se kanë 22 vite që e presin”.

Lionel Mesi nuk ka shënuar asnjë gol në këtë Kupë të Amerikës, por për Agueron kjo nuk përbën asnjë problem. Përkundrazi, “ky është një lajm i keq për Kilin, se do kërkojë gol ndaj tyre. Leo është një futbollist që mund ta gjejë rrugën e rrjetës në çdo moment, për këtë të jeni të sigurt. Por ai ka parapëlqyer të shërbejë më tepër për shokët, ndaj kemi pasur fitore të thella. Jam i bindur se në finale do të na udhëheqë sërish te fitorja, duke shënuar apo duke asistuar”.