Interi i ri, Mancini: Objektivi ynë është titulli

  • 03 July 2015 - 21:04
Interi i ri, Mancini: Objektivi ynë është titulli

Ishte një Roberto Mancini më i qeshur se kurrë ai që u shfaq në konferencën e parë për shtyp në prag të nisjes së përgatitjeve për sezonin e ri. Merkato e deritanishme që kanë zhvilluar drejtuesit e Interit ka lënë shumë të kënaqur trajnerin 50-vjecar i cili fillimisht nënvizoi se me afrimet e Kondogbia, Mirandës, Murillos dhe Montoyas diferenca në kualitetet mes zikaltërve dhe Juventusit është reduktuar jo pak dhe sipas Mancinit, Interi i tij i ka të gjitha kartat në rregull për të synuar titullin kampion në Serinë A.

” Sigurisht që objektivi ynë është titulli sepse ne jemi Interi një klub i madh dhe synojmë gjithmonë maksimumin. Shpresoj që Juventusi të ketë humbur shumë në kualitet me largimet e Pirlos dhe Tevez, diferencat tashmë janë më të vogla por gjithcka duhet tia lëmë fushës. Gjithsesi nuk duhet të harrojmë faktin që bardhezinjtë janë përforcuar me disa elementë cilësorë”.

Pas vetëm 6 muajsh aventurës se Xherdan Shaqirit te Interi mund ti ketë ardhur fundi. Mancini i ngacmuar nga gazetarët mbi këtë temë nuk ngurroi ti hapë derën e largimit futbollistit me origjinë shqiptare, ndërkohë që përdori batutën kur u pyet për zëvendësuesin e mundshëm të tij, egjiptianin Mohamed Salah.

” Shaqiri dhe Santon në merkato? I blemë në Janar sepse besuam te ata, fakti që i kërkojnë në merkato do të thotë që nuk kemi gabuar. Një skuadër nuk lejohet të ketë në përbërje më shumë se 25 futbollistë dhe ne për momentin jemi shumë kështu që dikush duhet të largohet. Po të ishte për mua do ti mbaja të gjithë, por fat të keq janë disa norma të cilat duhen respektuar. A kam kontaktuar në telefon me Salah? Jo sepse më kishte mbaruar krediti. Ai ka treguar në fushë që është një futbollist i zoti por më parë duhet të zgjidhë cështjen e tij me Fiorentinën”.

Në fund Mihajlovic, Kovacic dhe Kondogbia, një mendim i Mancinit shkoi edhe për ata të tre.

” Mihajlovic është i trajneri i duhur për të drejtuar Milanin. Më bëhet qejfi për të dhe shpresoj të bëjë mirë por shpresoj gjithashtu të renditet pas nesh. Kovacic? Mateo është një futbollist i Interit dhe do të jetë me ne në grumbullim edhe pse do të vijë me pak vonesë. Ai është një lojtar shumë i mirë tek i cili besojmë shumë. Në lidhje me Kondogbia mendoj se ai mund të bëhet një nga futbollistët më të fortë në Botë. Është i ri dhe mund të përmirësohet shumë mendoj se pas 2 apo tre vitesh mund të arrijë nivelin e Iniestës ose Toure-së”.