Bernard Berisha në radarin e Duisburgut

  • 04 July 2015 - 12:52
Bernard Berisha në radarin e Duisburgut

Bernard Berisha përfundon në radarët e skuadrës së Bundesligës së dytë gjermane Duisburg. Sië raporton faqja e specializuar “derwesten.de”, në miqësoren e zhvilluar disa ditë më parë mes Skënderbeut dhe Duisburgut drejtuesit dhe stafi teknik i klubit gjerman kanë mbetur të mahnitur nga paraqitja e mesfushorit kosovar dhe janë gati ti paraqesin një ofertë zyrtare kampionëve të Shqipërisë për Bernard Berishën.

Sipas faqes në fjalë 23-vjeçari shpeshherë i vuri në vështirësi mbrojtësit e Duisburgut me driblimet e shpejta, dhe teknikën e tij të lartë, ndërkohë që në më shumë se një rast provoi të godiste edhe portën.

Bernard Berisha i cili u transferua nga Besa e Kavajës te Skënderbeu një vit më parë ka kontratë edhe për 1 tjetër sezon me skuadrën korçare. Sipas faqes “derwesten.de”, kartoni i Berishës në merkato kap vlerën e 275 mijë Eurove, një shifër e konsiderueshme kjo për arkat e Skënderbeut nëse Duisburgu vendos ta paguajë atë për të marrë shërbimet e talentit 23-vjeçar.

Gjithsesi fjalën e fundit do ta ketë presidenti i kampionëve të Shqipërisë Ardian Takaj, i cili duhet të marrë një vendim për të ardhmen e Berishës.