Gashi dhe Xhaka, sondazh nga Yahoo për dy shqiptarët

  • 05 July 2015 - 13:35
Gashi dhe Xhaka, sondazh nga Yahoo për dy shqiptarët

Shkëlzën Gashi dhe Taulant Xhaka, dy shqiptarët e Baselit po lakohen prej disa javësh në merkaton italiane por ende nuk ka lëvizje konkrete. Si sulmuesi ashtu edhe mesfushori kuqezi janë dy prej elementëve më të përfolur në skuadrën zviceriane pas paraqitjeve pozitive në sezonin e shkuar ku Gashi arriti të shpallej edhe golashënues i kampionatit. Në rastin e mesfushorit, interes më të madh ka shfaqur Fiorentina, ndërsa Gashi mbetet ende një pikëpyetje e madhe me Lazion në krye të listës së pretendentëve. Për të mësuar edhe mendimin e tifozëve italianë, faqja yahoosport në versionin italiasht, ka hapur dy dritare me temat, “Çfarë mendoni për Shkëlzën Gashi dhe Taulant Xhaka”, transmeton supersport.

Në rastin e bomberit kuqezi, një komentues shprehet se e njeh mirë lojtarin, madje shton se ai është një lojtar që duhet të aktivizohet në një kampionat më konkurrues, por nga ana tjetër ka edhe nga ata që shfaqen dyshues për aftësitë e 26-vjeçarit të lindur në Zyrih. Për të njëjtin sondazh të çelur për Xhakën, njëri prej komentuesve shprehet se mesfushori është një element që do t’i shërbente shumë Fiorentinës, ndërsa dikush tjetër shton se Xhaka është zgjedhur lojtari më i mirë te Baseli pas shqiptarit tjetër, Shkëlzen Gashi.

Dy sondazhe të ndara që synojnë të hedhin sa më shumë dritë rreth dy lojtarëve të Kombëtares Shqiptare, e ardhmja e të cilëve mbetet ende në udhëkryq edhe pse ata janë të lidhur me Baselin. Por ndërkohë që zërat e merkatos nuk ndalojnë, dy lojtarët e Baselit janë bashkuar me një tjetër lojtar të Kombëtares për një ndeshje miqësore. Kampionët e Zvicrës u ndeshën me Mynih 1860 dhe pas takimit, Gashi e Valdet Rama edhe pse nuk kanë shënuar, pozuan me fanellat e njëri tjetrit, për të treguar se ata mbeten të bashkuar edhe larg skuadrës kuqezi.