Agjenti i Goetze: Te Bayerni ndihet i zhgënjyer

  • 05 July 2015 - 16:22
Agjenti i Goetze: Te Bayerni ndihet i zhgënjyer

Mario Gotze nuk është trajtuar në mënyrën e duhur nga Bayerni i Mynihut. Bombën në ambjentin baravez e hedh agjenti i sulmuesit gjerman, Volker Struth, i cili thekson se aktivizimi i pakët i lojtarit e ka shtyrë atë drejt një krize profesionale. 23-vjeçari u transferua në “Allianz Arena” gjatë vitit 2013 për 37 milionë Euro por pavarësisht golit të shënuar në finalen e botërorit, Gotze nuk ka arritur ta bindë trajnerin Pep Guardiola.

“Është e natyrshme që ai të jetë i zhgënjyer dhe të kërkojë kohë për reflektim. Ai është një lojtar i mrekullueshëm por kërkon të kuptojë pse nuk është titullar. Mario dëshiron të fitojë sa më shumë tituj me Bayernin”, shprehet agjenti i lojtarit në një intervistë për të përditshmen “Bild”. Në vijim ai shton se Gotze nuk e ndien presionin pas blerjes së brazilianit Douglas Costa, duke shtuar se ai është një profesionist dhe do të punojë fort për të fituar besimin e trajnerit.  “Gjatë dy sezoneve te Bayerni ka luajtur rreth 50 ndeshje dhe ka fituar 4 trofe. Kam besim se Mario do ta fitojë besimin e munguar dhe këtë do ta tregojë në fushën e lojës”, e mbyll komentin Struth, duke lënë të kuptohet se sulmuesi do të vazhdojë të qëndrojë në Mynih edhe pse situata e tij mbetet e komplikuar.