“Wimbledon”, të mëdhenjtë kualifikohen në çerekfinale

  • 06 July 2015 - 23:31
“Wimbledon”, të mëdhenjtë kualifikohen në çerekfinale

Të mëdhenjtë e tenisit botëror nuk hasin pengesa në raundin e katërt të turneut të Wimbledon. Roger Federer kaloi me lehtësi në raundin e katërt spanjollin Roberto Bautista. Dy setet e para zviceriani i mbylli me rezultatin 6-2, ndërsa në të tretin ai i la kundërshtarit një lojë më shumë por llogaritë u mbyllën me rezultatin e përgjithshëm 3-0. Më e vështirë ishte sfida për Stanislas Wawrinka. Fituesi i Roland Garros eliminoi francezin David Goffin duke fituar në dy setet e para me Tie Break ndërsa të tretin 6-4. Në çerekfinale u kualifikua edhe Marin Cilic që kaloi në katër sete rivalin, Denis Kudla, ndërsa Gilles Simon i dha një leksion çekut Tomas Berdych, i cili u ndal në tre sete.

Biletën për më tej e siguruan edhe Richard Gasquet e Vasek Pospisil, ndërsa Novak Djokovic dhe Kevin Anderson u detyruan t’i binden vendimit të gjyqtarit për ta shtyrë sfidën të martën pasi ndeshja zgjati përtej parashikimeve. Rezultati është fiksuar në shifrat 2-2 dhe seti final do të caktojë çerekfinalistin e fundit. Në disiplinën e femrave, Serena fitoi derbin brenda familjes Williams me motrën Venus të cilën e kaloi 6-4, 6-3, ndërsa Maria Sharapova mundi 6-4, 6-4 Zarina Diyas. Në çerekfinale u kualifikuan edhe Coco Vandeweghe, Madison Keys, Timea Bacsinszky, Agnieszka Radëanska, Victoria Azarenka dhe Garbine Muguruza.