Partizani ndaj Stromsgodset, tifozët organizohen si në derbi

  • 07 July 2015 - 14:46
Partizani ndaj Stromsgodset, tifozët organizohen si në derbi

Partizani po përgatit sfidën e kthimit ndaj Stromsgodset njësoj sikur të ishte një sfidë derbi ndaj rivalëve të Tiranës. Impenjimit të skuadrës i shtohet ai i drejtuesve të klubit por edhe i tifozëve të cilët kanë premtuar përkrahje masive në përballjen e së enjtes, ku synimi është fitorja dhe përmbysja e rezultatit. Nga drejtuesit është menduar që sfida e kthimit ndaj norvegjezëve të zhvillohet në orën 20, dhe ky orar pritet të jetë një bonus për tifozerinë e cila parashikohet të jetë e shumtë në shkallët e Qemal Stafës. Ora e përzgjedhur për zhvillimin e ndeshjes sigurisht që është një sinjal pozitiv duke parë temperaturat e larta që kanë pushtuar vendin tonë. Perëndimi i ditës së enjte i jep mundësinë tifozeërisë së kuqe të jetë më e shumtë pasi sfida praktikisht do të zhvillohet nën dritat e prozhektorëve, transmeton supersport.

Një tjëtër lehtësi për tifozët janë cmimet e biletave, që janë pak a shumë të njëjta me ato të cilat vendosen për ndeshjet derbi. Për tribunat D1, D2 dhe D3 është vendosur një cmim simbolik teksa është menduar që për tifozet femra hyrja të jetë falas. Të gjitha këto kanë bërë që kërkesat për një biletë të jenë të mëdha dhe dalja e biletave që ditën e hënë në treg është tregues për një interesim të jashtëzakonshëm që kanë tifozët e Partizanit, për të parë skuadrën e zemrës që rikthehet të luajë në Qemal Stafa për një sfidë europiane pas 7 vitesh mungesë. Dhe për ta shijuar, tifozët dëshirojnë të jenë aty, në radhë të parë dhe në mbështetje të skuadrës. Spektakli në tribunë është i garantuar, ekipi duhet të bëjë pjesën e vetë, në një stadium që deri më tani ka shitur gjysmat e biletave.