Tour de France, Martin fiton etapën e 4-t dhe merr kryesimin

  • 07 July 2015 - 19:58
Tour de France, Martin fiton etapën e 4-t dhe merr kryesimin

Tony Martin fiton etapën e katërt të edicionit të 102 të Turit të Francës duke marrë njëkohësisht edhe kryesimin në klasifikimin e përgjithshëm. Pas incidentit të një dite më parë që shkaktoi edhe atë rrëzim masiv gjërat për ciklistët shkuan shumë më mirë, në një etapë karakteristike që përmbante plot shtatë sektorë me kalldrëm të garës së famshme Paris – Roubaix. Startin e etapës së ditës së katërt e dha pikërisht Mbreti i Belgjikës Filip dhe gjithcka filloi në Seraing në Provincën e Liezhit, me një itinerar të shtrirë në gjatësinë e plot 223.5 km, etapa më e gjatë e këtij edicioni me përfundim brenda territorit francez, në veri në Cambrai, në rajonin e Nord – Pas – de Calais. Që në fillim u shkëputën katër ciklistë Lieuëe Westra, Thomas De Gendt, Perrig Quemeneur si dhe Frederic Brun të cilët pas 38 km patën një avantazh prej 8′. Dalëngadalë grupi ndjekës filloi të organizohej e për rrjedhojë epërsia e kryesuesve pas 75 km zbriti poshtë 6′, ndërsa 70 km para fundit të etapës avantazhi i tyre u përgjysmua duke zbritur në vetëm 3′, transmeton supersport. 

Falë punës së shkëlqyer të ekipit britanik Sky më në fund katërshja që udhëhiqte etapën lëshoi kreun e garës, kështuqë u kuptua qartë se gjithcka do të përcaktohej në kilometrat e fundit. Përgjithësisht etapa të tilla mbyllen në finish ku bien në sy gjithmonë ciklistët sprinterë megjithatë këtë herë 30-vjecari gjerman nuk priti por zgjodhi kohën e duhur duke sulmuar pikërisht 3.3 km para fundit. Tony Martin e mbylli garën me 3″ larg gjermanit tjetër John Degenkolb, ndërkaq po me të njëjtën kohë kaloi i treti vijën e finishit edhe ciklisti sllovak Peter Sagan. Ditën e hënë Panzerëagen-i nga Cottbusi renditej i dyti me vetëm 1″ më shumë sesa Chris Froome, ndërsa pas etapës së katërt përvec 3″ që i rrëmbeu ciklistëve kryesorë Toni Martin përfitoi gjithashtu edhe 10″ e bonusit për fitimin e etapës. Kështu ciklisti i ekipit Etixx – Quick – Step vesh fanellën e verdhë me një avantazh prej 12″ kundrejt ciklistit të ekipit Sky, britanikut Chris Froome, ndërsa amerikani Tejay van Garderen i skuadrës BMC ndjek me 25″ vonesë, ndërkaq 2 herë fituesi Alberto Contador pozicionohet i teti 48″ larg vendit të parë. Etapa e pestë do të jetë një etapë me itinerar fushor, e gjatë 189.5 km nga Arras në Amiens.