“Jemi gati, këto janë objektivat e klubit”

  • 17 February 2017 - 20:14
“Jemi gati, këto janë objektivat e klubit”

Skuadra e Shkëndijës bën përgatitjet e fundit për sfidën e parë në kampionat kundër Sileksit në Tetovë

Kapiteni i KF Shkëndija, Ferhan Hasani, beson se futbollistët janë maksimalisht të përgatitur për pjesën e mbetur të sezonit dhe mezi presin përballjen me Sileksin.

Përveç tjerash, Hasani foli edhe për objektivat e klubit, që janë kampionati i Maqedonisë dhe Kupa.

“Jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje të parë. Do të jetë vështirë pasi është përballja e parë,  por ne kemi zhvilluar disa ndeshje kontrolluese së bashku dhe e njohim njëri-tjetrin mjaft mirë, jemi adoptuar, kemi bërë përgatitjet shumë të mira dhe me padurim e presim ndeshjen e parë gjatë ditës së diel”, tha Hasani.

“Fillimi është i rëndë deri sa të adoptohet, mirëpo futbollistët që kanë ardhur janë adoptuar shumë shpejtë. Disa kanë ardhur më herët, ndërsa Besarti është bashkangjitur kohëve të fundit, mirëpo me Besartin njihemi edhe më parë, kështu që nuk do të jetë problem”, shtoi ai.

“Synimet tona janë në dy fronte, Kampionati i Maqedonisë dhe Kupa. Do të japim maksimumin që të arrijmë objektivat tona”, tha mes tjerash Hasani për Alsat-M,

Nën drejtim të trajnerit të ri, Tomas Brdariç, skuadra e Shkëndijës ka zhvilluar përgatitjet në Antalia, ku janë kyçur përforcimet e reja, ndërsa Besart Abdurahimi u njoftua me kolegët e tij, pasi ekspedita u kthye në Tetovë.

Në ndeshjet tjera të javës së 19 të Ligës së Parë të Maqedonisë do të takohen:

Vardari - Shkupi

Pobeda - Pelisteri

Makedonia GJP - Rabotniçki

Bregallnica - Renova

(Kosova Sot)