Nismë shpresëdhënëse

  • 20 February 2017 - 08:51
Nismë shpresëdhënëse

STARTI I EDICIONIT PRANVEROR JEP SINJALE POZITIVE PËR TË ARDHMEN

Ndeshjet e stinorit pranveror të Vala Superligës nisin fundjavën që vjen

Kampioni aktual, Feronikeli, ka pasur një start zhgënjyes pasi është eliminuar nga Llapi që në ndeshjen e parë, duke dhënë sinjale se cilësia është e nivelizuar dhe se më nuk ka skuadër dominuese në futbollin tonë

Feronikeli e ka nisur në mënyrë zhgënjyese edicionin pranveror në futbollin kosovar, pasi është eliminuar nga garat e Kupës një objektiv ky i synuar shumë herët nga skuadra drenicas. "Nikli" është mposhtur nga Llapi e aq më keq që kjo ndodhi para tifozëve të vet, gjë e cila maksimalisht i ka zhgënjyer ata pasi pritshmëritë ishin të mëdha. Gjithsesi, ky eliminim mund ta ketë edhe anën pozitive, pasi tash Feronikeli të gjitha forcat do t'i orientojë në garat kampionale, aty ku vazhdon të mbetet kandidati kryesor për ta fituar titullin e kampionit. Ajo që ra në sy në këtë start të garave, ishte infrastruktura një segment ky që vazhdon t'i shqetësojë sportistët pasi vërtet aktivitetin e tyre e zhvillojnë në kushte shumë të vështira, derisa sherrin më të madh kësaj infrastrukture të keq ia panë, Flamurtari e Trepça, të cilat ishin të detyruara ta shtyjnë takimin e tyre për shkak të borës që ra në vendin tonë, gjë e cila e bëri të pamundshëm zhvillimin e ndeshjes, shkruan gazeta Kosova Sot.

Tovërlani i zhgënjyer, Batatina "në qiell"

Llapi është pa dyshim skuadra më simpatike për momentin në futbollin tonë. Edhe pse në sytë e ekspertëve nuk po shihet si një skuadër shumë e fortë që mund të fitojë titullin e kampionit, ajo po vazhdon të befasojë për të mirë çdoherë e më shumë. Paraqitja e llapjanëve përballë kampionit aktual dëshmoi fuqishëm se kemi të bëjmë me një ekip shumë të fortë që është në gjendje të befasojë dhe se do të jetë një kockë e fortë për çdo kundërshtar. Llapi në këtë sfidë fitoi pas ekzekutimit të penalltive, pasi koha e rregullt u mbyll me rezultat1 :1, derisa edhe në vazhdime u shënuan dy gola nga dyja ekipet për të shkuar te penalltitë. Nga pika e bardhë mysafirët ishin më të suksesshëm për të siguruar triumfin e mëtutjeshëm. Pa dyshim eliminimi e ka zhgënjyer maksimalisht trajnerin e Feronikelit, Afrim Tovërlanin, sipas të cilit në këtë takim, fati nuk ishte në anën e ekipit të tij. Në anën tjetër homologu i tij te Llapi, Tahir Batatina, ka thënë se e ka studiuar mjaft mirë kundërshtarin para se të futet në fushë. Kualifikimin të shtunën e kanë siguruar edhe Trepça'89, që e mposhti pa shumë vështirës me rezultat 4:0, Hajvalinë , skuadër kjo që këtë edicion do të bëjë gara me ekip të juniorëve, pasi ekipi i parë është liruar krejtësisht për shkak të kushteve të vështira financiare. Ferizaj që në afatin e janarit ka bërë bukur shumë investime, ka arritur ta prekë çerekfinalen, pasi e mundi Gjilanin me rezultat 1:1 në një ndeshje të luftuar shumë. Një fitore të lehtë dhe të pritur e ka shënuar Drenica, e cila pa telashe në stadiumin "Bajram Aliu" në Skenderaj e ka mposhtur KEK-un me rezultat 3:0.

Festojnë Prishtina e Besa

Skuadra e Prishtinës është kualifikuar në çerekfinale të Kupës së Kosovës, pasi arriti të fitojë përballë Vëllaznimit me rezultat 1:0. Ndeshja u zhvillua në Gjakovë në kushte shumë të vështira, pasi bora e kishte rënduar fushën. Golin e fitores e shënoi Liridon Leci nga penalltia. "Në pjesën e parë mendoj se kemi luajtur më mirë se në pjesën e dytë. Kushtet ishin të vështira për lojë, mirëpo kemi bërë aksione të shpejta përpara dhe këtë rrugë do ta vazhdojmë më tutje. Jemi mirë të përgatitur dhe ekipi do të fitojë ritmin e lojës", ka thënë trajneri i Prishtinës, Lutz Lindermann. Besa ka arritur ta eliminojë Dritën nga gara për Kupën e Kosovës. Pejanët janë ata që u kualifikuan në çerekfinale, pasi fituan me rezultat 3:1. Koha e rregullt e lojës ka përfunduar 1:1, me golat që i kanë shënuar Miftaraj për Besën dhe Livoreka. Por, gjatë 30 minutave të lojës shtesë, Besa i realizoi edhe dy gola tjerë për rezultat 3:1, përmes Turkut dhe Kasapit. Kështu, Besa vazhdon të shpresojë ta arrijë objektivin kryesor, të cilin e kishte primar edhe Drita, e cila mbeti duarthatë. Çerekfinalen e ka siguruar edhe Liria që e mposhti Bashkimin.
 

(Kosova Sot)