< Fundi afrohet, adrenalina rritet - Sport - Kosova Sot
Fundi afrohet, adrenalina rritet

Fundi afrohet, adrenalina rritet

Tejet e nxehtë pritet të jetë gara edhe për ekzistencë,shkruan gazeta Kosovoa Sot.
Kanë mbetur vetëm edhe shtatë ndeshje deri në mbyllje të kampionatit të Kosovës në futboll, derisa dilemat vetëm sa po rriten edhe më shumë. Dilema sa i përket titullit të kampionit, por edhe luftës për ekzistencë vetëm sa po rritet e bashkë me të edhe adrenalina. Njohësit e mirë të futbollit presin shtatë javë shumë të nxehta, por që nuk përjashtojnë edhe tensionin, gjë kjo që duhet të shtyjë institucionin e futbollit, FFK-në të mobilizohet maksimalisht në këtë periudhën e mbetur që të kemi një garë joshëse e mbi të gjitha korrekte. Futja e Prishtinës në valle për titull maksimalisht e ka nxehur luftën për titull, e ku sipas trajnerit të njohur, Bekim Shotani do të jenë pikërisht tri ndeshjet e fundit, ato ku edhe sjellin ballafaqimin ndërmjet vete të Trepçës'89, Feronikelit e Prishtinës të cilat edhe do të vendosin fatin e kampionit. Në anën tjetër Shotani si skuadrën më të rrezikuar për të luftuar në barazh e sheh Dritën e Ferizajn.

Luftë e ashpër deri në fund

"Mendoj se do të jetë një finish me adrenalinë të madhe, si për titull ashtu edhe për ekzistencë", ka thënë fillimisht Shotani, sipas të cilit lideri i tabelës, Trepça'89, është shumë afër qëllimit. "Trepça'89 është shumë afër titullit, e kjo bindje u krijua sidomos pas fitores në Gjilan ndaj Dritës. Mirëpo, unë mendoj se asgjë nuk ka përfunduar dhe se do të jenë tri ndeshjet e fundit që do të përcaktojnë fituesin e kampionatit. Në ato tri ndeshje takohen pikërisht rivalët për këtë epitet. Për mendimin tim ndeshjet vendimtare do të jenë Trepça'89 - Prishtina dhe Trepça'89- Feronikeli aty do të vendoset gjithç- ka", ka thënë Bekim Shotani, sipas të cilit Feronikeli e Prishtina do të mundohen maksimalisht të mos gabojnë deri në fund me shpresë të një gabimi të mitrovicasve

Barazhin nuk e do askush

Pa dyshim vëmendje e madhe këtë herë i kushtohet edhe luftës për ekzistencë. Analistët tashmë vlerësojnë se Hajvalia e Trepça do të jenë dy skuadra që direkt do të largohen nga Liga, derisa në barazh do të luftojnë Drita e Ferizaj. Mirëpo, gjithsesi deri në fund mund të ndodh shumëçka pasi në dispozicion janë edhe 21 pikë të cilat mund të ndryshojnë plotësisht fatin e garës. "Sa i përket largimit nga Liga, mendojnë se kjo është e qartë. Hajvalia e Trepça do të jenë jashtë superligës për edicionin e ardhshëm, ndërsa situata më e komplikuar shihet te lufta për barazh. Te barazhi them që Ferizaj, Liria, Drita dhe Drenica janë më rrezikuara, por mendoj se në dy pozitat më të vështira janë Drita e Ferizaj", ka thënë Shotani, i cili në këto ndeshjet e mbetura në një pozitë më të mirë e sheh Drenicën. "Drenica e Liria janë më pak të rrezikuara e sidomos Drenica, e cila në 7 ndeshjet e fundit nuk ka humbje në kampionat, fazë kjo që e ka stabilizuar dukshëm në tabelë. Përfundimisht them se Drita pas humbjes në fushën e vet nga Trepça'89 është fundosur shumë, derisa edhe Ferizaj, i cili po përballet me probleme si në ekip ashtu edhe në udhëheqje të klubit do të ketë shumë vështirë t'i ikë barazhit", ka përfunduar Bekim Shotani.

(Kosova Sot)
 

23 orë e 22 minuta më parë