Gjyqtarët nuk po tuten

  • 28 April 2017 - 10:26
Gjyqtarët nuk po tuten

Rivaliteti i madh ka bërë që lufta për titull dhe për ekzistencë të rritet maksimalisht,shkruan gazeta Kosova Sot.
Kampionati i Kosovës ka hyrë në një fazë vendimtare, ku pikët cilësohen jetike për çdo skuadër. Kjo edhe ka bërë që rivaliteti në 6 ndeshjet e mbetura ta prek kulmin dhe atë jo vetëm në luftë për titull, por edhe për ekzistencë. Pa dyshim për të pasur një rrjedhë të mbarë të garave, rolin kryesor e luajnë gjyqtarët të cilët kohëve të fundit jo rrallë ishin shënjestër e drejtuesve të klubeve, të cilët akuzonin pikërisht këmishëzinjtë për dështimet e tyre. E fundit që u ankua në gjykim ishte Ferizaj, ku kjo skuadër pretendonte se është dëmtuar në Prizren në përballje me Lirinë dhe sikur gjykimi të ishte korrekt nga atje do të ktheheshin me pikë të plota, çka do të bënte që mbijetesa të ishte më e lehtë. Tash me atë barazim Ferizaj rrezikon të luajë në barazh, çka i bie se nuk e ka të sigurt ekzistencën. Gjithsesi, gjyqtarët kosovarë janë të vetëdijshëm se i pret një punë e madhe në këto 6 javët e mbetura, por ata janë të sigurt se do ta kryejnë punën ashtu siç duhet. Një fakt tjetër që i bën gjyqtarët optimistë se janë në nivel të detyrës është paraqitja e treshes, Nuza-BerishaSelimaj, në sfidën ndërkombëtare Turqi - Moldavi, çka dëshmoi se gjyqtarët tanë janë në nivel të mirë dhe se janë në gjendje të ndajnë drejtësinë edhe në ndeshje të mëdha.

Kosumi: Nuk na frikëson presioni

"Për mua si ndeshja e parë si e fundit është e njëjtë", ka thënë Besfort Kosumi, i cili megjithatë e pranon se ndeshjet e fundit janë më të vështira për t'u gjykuar, por ai është i përgatitur që çfarëdo sfide ta kalojë me sukses. "Çdo ndeshje për mua ka rëndësi të madhe dhe e marr me përkushtim. Gjithmonë mundohem ta jap më të mirën dhe kështu do të bëj edhe në këto sfidat e mbetura", ka thënë Kosumi, i cili njihet për autoritetin e madh që ka në fushë, duke mos i lënë rastit asgjë. Gjithsesi, skandali i fundit ku i përfshiu gjyqtarët Bajram Gashi e Edmond Zeqiri nuk do të ndikojë tek gjyqtarët të cilët janë të vendosur të bëjnë punën siç duhet dhe se nuk e kanë ndërmend të bien pre e asnjë presioni.

UEFA i vetëdijesoi

Pa dyshim pranimi në arenën ndërkombëtare i futbollit tonë, ka bërë që edhe klubet edhe lojtarët të vetëdijesohen dhe ta respektojnë më shumë punën e të tjerëve. Këtë gjë e thotë edhe Kosumi, sipas të cilit organizimi i klubeve tash është më i mirë. "Është shumë e vërtetë që pesha e ndeshjeve në xhirot e fundit është më e madhe, por unë flas për vete, gjithmonë ato i marr me qetësi. Do të mundohem të jem korrekt dhe mos t'i hyj në hak asnjë skuadre dhe në asnjë mënyrë të jem pjesë e diskutimit unë, por gjithmonë të jetë loja e futbollit ajo që diskutohet", ka thënë Kosumi duke shtuar."Tash, pas pranimit në UEFA e FIFA, është shumë e vërtetë që lojtarët janë shumë më të sjellshëm dhe me sportivitet po i pranojnë të gjitha vendimet e gjyqtarëve. Edhe klubet kanë filluar të përmirësohen në këtë aspekt dhe po i organizojnë ndeshjet shumë më mirë", ka përfunduar Besfort Kosumi. Të kujtojmë se ky është edicioni i parë që zhvillohet nën ombrellën e UEFA-s dhe FIFA-s, kështu që ambiciet e skuadrave janë rritur maksimalisht. Kjo edhe ka bërë që rivaliteti këtë herë të jetë shumë më i madh, pasi si lufta për titullin e kampionit edhe ajo për Kupën e Kosovës dërgon në Evropë, derisa edhe lufta për ekzistenca këtë herë është shumë më e madhe, gjë e cila ka ndikuar që ndeshjet të prodhojë në disa momente edhe tension. Se çfarë do të ndodhë në këto javët e mbetura mbetet të shihet. 

(Kosova Sot)