Kriza ka mundur të shmanget

  • 28 April 2017 - 10:30
Kriza ka mundur të shmanget

Fajet i kanë edhe trajnerët , shkruan Kosova Sot.
Sporti që i mbushte palestrat, sporti me më shumë investime, e dikur edhe sporti më i popullarizuar. Sot gjendja në basketbollin kosovar është shumë e rëndë, ku kriza financiare ka kapluar shumë skuadra dhe kjo po shprehet qartë. Cilësia ka pasur rënie, ashtu si edhe shikueshmëria. Shumë lojtarë të huaj kanë luajtur këtë edicion dhe shumë janë larguar. Gjithashtu nuk kanë munguar as bojkotet e lojtarëve për shkak krizës financiare dhe vonesës së pagave. Edhe derbit nuk e kanë hijeshinë si më herët, derisa po bëhet përpjekje maksimale për të dalë nga kjo krizë

Tifozët, të zhgënjyer

Analisti i njohur dhe njohësi i mirë i basketbollit vendor, Ismet Ferati është shprehur se klubet është dashur që të jenë më të vëmendshme në fillim të edicionit dhe të mos marrin lojtarë që nuk janë të dëshmuar. "Kriza ka qenë evidente edhe më herët, sidomos ajo financiare, mirëpo më herët nuk kemi qenë të pranuar në FIBA dhe lojtarët kanë qenë të pambrojtur, ndërsa tani klubet tona ende nuk mendojnë para fillimit të edicionit se me kë nënshkruajnë, sa kushton një lojtar dhe në mes të edicionit të mbesin pa mjete financiare, mbesin pa lojtarë, shikuesit zhgënjehen dhe për këtë arsye nuk i kemi as 100 shikues në lojë", ka thënë Ferati për "Kosova Sot". Kriza ishte më e madhe te Peja e Trepça, por edhe skuadrat e tjera janë ballafaquar me shumë probleme gjatë këtij edicioni, që ka qenë me shumë luhatje. Gjithashtu skuadrat kosovare nuk arritën suksese në garat ndërkombëtare, duke kompletuar një vit jo të suksesshëm. Përveç cilësisë, kishte rënie edhe në shikueshmëri, madje edhe në ndeshjet derbi, që nuk zgjonin interesim si më parë. Niveli i dobët, edhe te lojtarët vendorë Një faktor tjetër që ka ndikuar është edhe niveli i dobët i lojtarëve vendorë dhe mospuna nëpër klube. "Mendoj se faktori tjetër është cilësia e dobët e lojtarëve vendorë dhe mospuna me ta nëpër klube, sepse viteve të kaluara kemi pasur 30 lojtarë vendorë kualitativë, tani nuk i kemi as pesë që vlejnë. Këtu fajet i kanë trajnerët që punojnë nëpër klube, pasi 7-8 vjet nuk kemi asnjë lojtar vendor që ka ardhur në shprehje në një ligë jokualitative, siç është kjo e Kosovës", ka shtuar tutje Ferati. Ai thotë se deri te kriza ka ardhur për shkak se nëpër klube gjenden njerëzit jo të duhur. "Kriza ka mundur të shmanget, mirëpo njerëzit e gabuar në vende të gabuara dhe gjendja është kjo që është. Në basketboll ka vend për njerëzit e basketbollit, për ish-basketbollistë, dhe kjo gjendje është si është tani", ka përfunduar ish-basketbollisti i njohur. Ditë më parë edhe klubet e basketbollit kanë pasur një takim me Federatën për të gjetur mënyrën se si të dilet nga kjo krizë.

(Kosova Sot)