Kaka i befasuar me Zidanin, tregon kush do ta fitojë Ligën e Kampionëve

  • 19 May 2017 - 19:31
Kaka i befasuar me Zidanin, tregon kush do ta fitojë Ligën e Kampionëve

Kaka është i befasuar me suksesin e Zinedine Zidane te Real Madridi, derisa beson se Los Blancos do ta fitojnë për herë të 12 Ligën e Kampionëve.

Në një intervistë për Goal, ish mesfushori i Real Madridit, Kaka, ka folur për shumë gjëra, gjithashtu edhe për trajnerin aktual të “Los Blancos”, Zinedine Zidane.

Kaka ka treguar se Zidane ka dhënë sinjale pozitive se mund të bëjë mirë këtë punë edhe në kohën e Jose Mourinhos.

Braziliani ka mbetur disi i habitur me suksesin e francezit, derisa beson se Reali mund ta fitojë edhe La Ligan e Championsin këtë edicion.

“Kur isha atje, e kisha Zidanen si një trajner të dytë me Jose Mourinhon, dhe ai filloi ta bënte këtë punë shumë mirë, ishte një surprizë për të gjithë”, ka thënë fillimisht Kaka.

“Ka qenë një lojtar i jashtëzakonshëm, i mençur, inteligjent, por rezultatet që ka arritur këtë edicion janë të pabesueshme”, shtoi ai.

“Zidane mund ta fitojë Ligën e Kampionëve dhe La Ligan, dhe kjo është diçka e mirë, shumë e mirë për të në dy vitet e para si trajner profesionist. Kështu urime për të”, ka vazhduar braziliani.

Më tej Kaka ka treguar se momentalisht nuk po mendon të bëhet trajner, duke shtuar se ndoshta një ditë do t’i ndodh edhe atij si Zinedine Zidanes.

“Të bëhem trajner nuk është diçka që po e mendoj tani për tani, por nuk e di, ndoshta në të ardhmen”, tha Kaka.

“Zidane është shembull i mirë për këtë. Kur ishim në Madrid, ne bisedonim shumë dhe një ditë, kur ai ndaloi së luajturi futboll,  nuk dëshironte të bëhej trajner. Ai vetëm dëshironte të rrinte me familjen dhe të shijonte jetën”, theksoi mes tjerash Kaka. 

(Kosova Sot)