Kërkohet menaxhim më i mirë

  • 25 July 2017 - 09:31
Kërkohet menaxhim më i mirë

LËVIZJET VETËM BRENDAPËRBRENDA KOSOVËS

Rezultatet nuk vijnë rastësisht

Klubet e futbollit duhet të punojnë shumë më shumë për të pasur suksese në arenën ndërkombëtare. Kjo është dëshmuar edhe në ndeshjet e fundit që janë zhvilluar. Gjithashtu në afatin kalimtar kanë munguar lojtarët e huaj cilësorë dhe trajnerët, çka janë shumë të domosdoshëm për futbollin kosovar. Analistët thonë se me këso lëvizje nuk do të ketë ndryshime as në edicionin e ri

Në afatin kalimtar në futbollin kosovar ka pasur shumë lëvizje. Shumica e skuadrave janë përforcuar me lojtarë vendorë, të cilët po ndërrojnë ambient nga një skuadër në tjetrën, por pa u larguar nga kampionati i Kosovës. Drita e Gjilanit, Liria, Llapi, Trepça '89, Prishtina e Vllaznia e Pozharanit kanë qenë shumë aktive me përforcimet e tyre, megjithatë deri më tani kanë munguar përforcimet bombastike. Nga kjo sigurisht se edhe në edicionin e ardhshëm nuk mund të ketë shumë ndryshime, me skuadrat e njëjta që luftojnë për titull e Kupë.

Lëvizje brenda Kosovës 

Liria me trajner nga Shqipëria është përforcuar gjithashtu me futbollistë nga Superliga e Shqipërisë, kurse skuadrat e tjera kryesisht janë përforcuar me lojtarë vendorë. Njohësi i futbollit vendor, Arsim Plepolli thotë se mbetet të shihet se sa cilë- sore janë përforcimet e Lirisë. "Drita ka bërë më së shumti përforcime, por edhe më cilësore. Liria ka sjellë disa futbollistë nga Superliga e Shqipërisë dhe mbetet të shihet se sa janë cilësorë, kurse Llapi ka ruajtur bazën dhe ka marrë Mentor Zhdrellën, një futbollist i dëshmuar në Kampionatin tonë. Vllaznia e Pozharanit ka marrë lojtarë që kanë mbetur në treg, por sa i përket ngritjes së cilësisë, nuk mendoj që do të ketë ngritje, sepse ne vetëm i ndërrojmë klubet. Disa klubet përforcohen e disa dobësohen. Por, nevojiten prurje të reja nga shtetet fqinje dhe me trajnerë të huaj në mënyrë që të ketë risi nga kampionati i kaluar. Me këto përforcime dhe me këto lëvizje, besoj se cilësia nuk do të ngritët dhe nuk do të ketë shumë dallim nga kampionati i kaluar", deklaroi Arsim Plepolli për gazetën "Kosova Sot". 

Image

Punë më e madhe nga të gjithë 

Tutje, Plepolli ka shtuar se edhe menaxhimi brenda klubeve duhet të jetë më i mirë dhe nevojitet punë më e madhe nga të gjithë që punojnë nëpër klube. "Nga ndeshjet e fundit ndërkombëtare që i kemi pasur është dëshmuar se duhet shumë punë dhe cilësi për të pasur shpresa për të ardhmen që do të jetë më mirë. Madje, edhe menaxhimi duhet të jetë më i mirë për një të ardhme më të mirë dhe asgjë nuk duhet t'ia lëmë rastit apo kohës, por duhet vetëm punë, punë dhe t'i ndalim llafet, por të gjithë të punojnë më shumë. Duhet që komplet prej pastruesit e deri të drejtori secili ta punojë punën e vet dhe rezultatet nuk vijnë rastësisht. Duhet më shumë punë nga të gjithë", ka theksuar tutje Arsim Plepolli për gazetën "Kosova Sot". Përkundër se kampioni dhe fituesi i Kupës e kanë të sigurt pjesëmarrjen për edicionin e ardhshëm, klubet deri më tani kanë qenë shumë të matura dhe kanë munguar përforcimet shumë cilë- sore, duke bërë që mos të ketë shumë dallim nga edicionet e mëparshme. Trepça '89 dhe Prishtina përfaqësuan futbollin kosovar në arenën ndërkombëtare, por në debutim nuk ishin të suksesshme, duke u eliminuar qysh në rrethin e parë.

(Kosova Sot)