Testi i vërtetë ndaj Maqedonisë dhe Estonisë

  • 26 July 2017 - 09:37
Testi i vërtetë ndaj Maqedonisë dhe Estonisë

PËRFAQËSUESJA E KOSOVËS ZHVILLOI PESË NDESHJE MIQËSORE

Tri fitore e dy humbje për Kosovën në sfidat miqësore

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ka përfunduar ciklin e ndeshjeve miqësore dhe tashmë do të fokusohet në përballjet e 'vërteta' ndaj Maqedonisë dhe Estonisë, në kuadër të parakualifikimeve të Botërorit "Kina 2019". Edhe pse këto përballje shihen si shumë të vështira, shpresat janë për një paraqitje sa më të dinjitetshme në garat ndërkombëtare

Përfaqësuesja e Kosovës zhvilloi pesë ndeshje miqësore për t'u përgatitur sa më mirë për parakualifikimet evropiane të Botërorit "Kina 2019". Nga këto pesë ndeshje, Kosova shënoi tri fitore, duke mundur dy herë Shqipërinë dhe një herë Sllovakinë, derisa pësoi një humbje nga Sllovakia dhe  Austria. Përfaqësuesja do të vazhdojë përgatitjet, derisa ndeshjet zyrtare do të jenë në muajin gusht, ku Kosova do të përballet me Maqedoninë dhe Estoninë për të siguruar një vend në kualifikimet e Botërorit të Kinës. Kosova kishte filluar përgatitjet më 2 korrik në Prishtinë për t'i vazhduar ato në Gjakovë. 

Miqësoret i ndihmojnë trajnerit 

Ndeshjet miqësore do t'i ndihmojnë shumë trajnerit amerikan, Brad Greenberg për të parë formën e lojtarëve dhe për të caktuar 12-shen përfundimtare. Njohësi i basketbollit vendor, Blerim Krasniqi thotë se këto takime janë shumë të rëndësishme, kurse testet e vërteta do të jenë në garat zyrtare. "Në fazat përgatitore është me rëndësi me pas ndeshje kontrolluese dhe të arritur sado kudo formën garuese në kualifikime. Sa i përket ndeshjeve kontrolluese nuk mund të nxjerrësh ndonjë parashikim të saktë, me vetë faktin që janë ndeshje kontrolluese dhe ato kanë për qëllim që të provohet një numër më i gjerë të lojtarëve dhe të kesh një pasqyrë sa më reale se me çfarë formacioni ose lojtarësh do të prezantohesh në kualifikime zyrtare", ka thënë Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Për Kosovën këto do të jenë ndeshjet e para në parakualifikime, kurse vitin e kaluar ishin paraqitur për në kualifikimet e Evropianit, megjithatë nuk u shënua asnjë fitore, duke pësuar gjashtë humbje, dy herë nga Bullgaria, Sllovakia dhe Ukraina. 

Shpresohet në prezantim të denjë 

Kosova në parakualifikimet evropiane është pjesë e Grupit C, së bashku me Estoninë dhe Maqedoninë. Më 2 gusht, Kosova është nikoqire e Maqedonisë, kurse më 9 gusht është mysafire e Estonisë, ndërsa më 12 gusht po ashtu luan si mysafire ndaj Maqedonisë, kurse më 19 gusht e pret Estoninë. Krasniqi shton se këto do të jenë sfidat, ku djelmoshat duhet të japin maksimumin në fushë. "Takimet që fillojnë më 2 gusht kundër Maqedonisë do të tregojnë se në miqësore a janë zgjedhur kundërshtarët e qëlluar, që unë mendoj fatkeqësisht jo. Duhet që në fazën përgatitore të zgjedhësh Përfaqësuese më të fuqishme se sa ne që jemi, dhe nëse jo të përafërt, në nivel të atyre me të cilat do të ndeshemi në kualifikime. Sidoqoftë, në radhët e Kosovës janë disa lojtarë shumë premtues, duke filluar nga Lis Shoshi, Erjon Kastrati, Gëzim Morina, si dhe përvoja e kapitenit Dardan Berisha. Shpresoj dhe dëshiroj që të kemi një prezantim sa më të dinjitetshëm në garat ndërkombëtare, edhe pse gjatë këtyre ndeshjeve stërvitore u paraqitën disa incidente jo të këndshme, të cilat do të reflektohen në lojërat e Përfaqësueses sonë", përfundoi Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot"

(Kosova Sot)