Hapje zhgënjyese

  • 14 August 2017 - 08:54
Hapje zhgënjyese

Shikueshmëria çdoherë e më shumë po zhgënjen

Nuk mbahet mend që një ndeshje finale e Superkupës të ketë dhuruar më pak emocione sesa ajo e zhvilluar të shtunën në Gjilan ndërmjet Trepçës'89 e Besës. Pothuaj në gjithë Evropën java e që lamë pas u karakterizua më ndeshjet e Superkupave në kampionete të ndryshme evropiane. Edhe Kosova si pjesë e UEFA-s e FIFA-s u mundua ta mbaj ritmin me to. Megjithatë, derisa në ndeshjet evropiane u dhurua shumë emocion dhe spektakël tek ne ishte e kundërta. As 100 shikues nuk ishin mbledhur në stadiumin e Gjilanit për ta ndjekur sfidën ndërmjet Trepçës '89 e Besën. Derisa Besa dihet që po kalon nëpër probleme të theksuara dhe nuk është duke e joshur askënd, ajo që nuk i falët është për tifozët e Trepçës'89, të cilët ia kthyen shpinën kampionëve dhe sikur duken të ngopur me suksesin e arriti në edicionin e kaluare. Gjithsesi, skuadra kampione triumfoi ashtu siç është pritur, madje me rezultat bindës 5:0, duke e konfirmuar edhe njëherë krizën e thellë që ka skuadra pejane. Ky është trofeu i parë për Trepçën'89 në edicionin e ri ndërsa i dyti në histori të skuadrës, e cila më herët Superkupën e kishte fituar një herë.

Bunjaku fajëson FFK-në

Ish-gjyqtari i njohur kosovar, Nexhmedin Bunjaku, në bisedë për gazetën "Kosova Sot", është ndarë i zhgënjyer më atë që pa në takimin e Superkupës, derisa për këtë kryesisht fajëson FFK-në si organizatore e një evenimenti të tillë. "Prania e një numri të vogël shikuesish, dorëzimi i Kupës dhe shpërndarja e medaljeve, ishte katastrofa e radhës e FFK-se në organizimin e ndeshjeve me karakter të veçantë. Në vend se FFK-ja të ndërmarrë hapa konkret në sensibilizimin, përkrahjen, avancimin dhe tërheqjen e tifozërisë për këto lloj garash, ajo e bënë të kundërtën, kështu që nga viti në vit po ia humbë rëndësinë kësaj gare", ka thënë Bunjaku, duke shtuar se përballja e së shtunës dëshmoi qartë se shtëpia e futbollit nuk është duke i dhënë rëndësi zhvillimit dhe avancimit të futbollit tonë. "Federata u pa qartë se nuk i jep fortë rëndësi kësaj gare edhe pse në këto ndeshjes takohen kampioni dhe fituesi i Kupës së Republikës, stafi gjysmak për dorëzimin e shpërblimeve, platoja ku do qëndronin futbollistët ishte thjesht një dërrasë, kurrfarë pankarte që simbolizon Superkupen, data e gabuar e zhvillimit të kësaj ndeshje. Tregojnë se organizimi ishte nën nivel", tha për "Kosova Sot", ish-gjyqtari gjilanas, Nexhmedin Bunjaku.

Shikueshmëria në rënie

Futbolli ynë ka kohë që është përballur me krizën e shikueshmërisë, por sivjet kjo mund të jetë edhe më e theksuar. Federata dhe gjithë ata që janë përreth futbollit duhet të angazhohen për ta sjellë shikuesin në stadium. Ai, sigurisht që nuk vjen nëse nuk ka kushte, organizim dhe cilësi. "Ajo ndeshje më shumë i ngjante një turneu shkollor sesa një trofeu të Superkupës. Ky dështim në organizim bie mbi supet e FFK-së. Ai që e ka ndjekur atë takim detyrimisht e shtynë të zhgënjehet nga futbolli ynë dhe sigurisht që ajo ndeshje në vend që ta joshë shikuesin vetëm sa e largon nga shkallët e stadiumit. Pra për këtë dështim dhe dështime tjera të këtij lloji, fajin e bartë kryesisht federata,dhe vetë federata duhet të jep përgjegjësi për rënien e shikueshmërisë në lojën e futbollit", ka përfunduar Nexhmedin Bunjaku. Të kujtojmë se edicioni i ri i Vala Superligës nis në fundjavën që vjen dhe sigurisht që ky kampionat po cilësohet si njëri ndër më joshësit e pasluftës, pasi dëshira për trofe është shumë e madhe. Mbetet të shihet çfarë rrjedhe do të ketë me shpresë se pamja çfarë na dha finalja e Superkupës të mos na japin edhe ndeshjet kampionale. 

(Kosova Sot)