Eliminim dëshpërues

  • 13 September 2017 - 10:15
Eliminim dëshpërues

MËNJANIMI I BESA FAMGASIT SJELL DËSHPËRIM TË MADH TE HENDBOLLDASHËSIT 

Kampionët e Kosovës u befasuan në Turqi

Kampionia e Kosovës në hendboll, Besa Famgas u eliminua befasisht nga skuadra turke, Beykoz nga garat evropiane, përkundër se kishin fituar përballjen e parë në Pejë me tetë gola epërsi, por në ndeshjen e kthimit pësuan me 12 gola dallim. Kjo solli dëshpërim jo vetëm te skuadra pejane, por në përgjithësi tek hendbolldashësit në Kosovë, të cilët janë të shqetësuar për nivelin e hendbollit në vendin tonë

Besa Famgas është skuadra më e organizuar në vend në hendboll. Pejanët janë e vetmja skuadër me lojtarë nga jashtë, kanë sponsorë, dhe lojtarët janë më të paguar në vendin tonë. Përveç kësaj, skuadra pejane në vitet e fundit ka dominuar pa problem në hendbollin kosovar, duke fituar titullin dhe Kupën dhe duke mos pasur shumë konkurrencë nga skuadrat e tjera. Megjithatë, kampionët u befasuan në garat evropiane, duke u eliminuar nga skuadra turke, Beykoz në kuadër të raundit të parë të Kupës EHF. Besa kishte fituar ndeshjen e parë në Pejë me tetë gola dallim, 29:21, por në takimin e zhvilluar në Turqi, kam pionët e Kosovës pësuan humbje me rezultat 35:23, duke u eliminuar nga garat evropiane.

Buzë humnerës 

Eliminimi i Besës solli dëshpërim jo vetëm te skuadra pejane, por edhe në përgjithësi te hendbolldashësit në Kosovë. Ish-hendbollisti i njohur, Alban Dobroshi ka thënë se hendbolli në Kosovë po shkon drejt 'humnerës'. "Humbja e Besës në Turqi dëshmon edhe njëherë se hendbolli në Kosovë është shkuar drejt një humnere. Mospërgatitja adekuate fizike dhe psikike e lojtarëve bëri që pejanët, përkundër epërsisë së kënaqshme në terren vendas, të pësojnë me një rezultat të thellë, të cilin pak njohës të hendbollit mund ta kenë pritur. Aq më pak eliminimin e kampionit të Kosovës me rezultat kaq të thelle. Kjo është për keqardhje pikë së pari për njerëzit që e sponsorizojnë ekipin, ndërkaq dëshpërimin më të madh e përjetojnë tifozët", ka thënë Alban Dobroshi për gazetën "Kosova Sot". Dobroshi ka luajtur në shumë skuadra të Kosovës, ndër to edhe për skuadrën pejane, dhe ka shumë përvojë në garat ndërkombëtare, duke marrë pjesë me disa skuadra.

Kërkohen investime të mëdha

Por, eliminimi i skuadrës pejane vetëm sa dëshmon për krizën që i ka kapluar skuadrat e hendbollit. Dobroshi thotë se ky sport ka nevojë për investime të mëdha, derisa një pjesë të përgjegjësisë e kanë edhe komunat. "Mendoj se Kosova ka nevojë për investime të mëdha në kualitet, në përgatitjen më profesionale fizike dhe investime më të mëdha në klube e në gjenerata të reja. Kur them investime, nuk aludoj vetëm në para, por edhe në punë më të sinqertë në ofrimin e një produkti final që do t'i sillte Kosovës rezultate më shpresëdhënëse, sidomos në arenën ndërkombëtare. Nëse dikush duhet të japë përgjegjësi për rezultatet e kohëve të fundit të ekipeve kosovare, atëherë është pikërisht mosfinancimi i tyre nga komunat përkatëse", theksoi Alban Dobroshi për gazetën "Kosova Sot". Për shkak të problemeve financiare, Prishtina, meshkujt, dhe Kastrioti në të dyja konkurrencat nuk morën pjesë në garat evropiane, edhe pse e fituan të drejtën. 

(Kosova Sot)