Liria thellon krizën e Dritës, Prishtina ndalet në Drenicë

  • 14 September 2017 - 09:49
Liria thellon krizën e Dritës, Prishtina ndalet në Drenicë

JAVA E KATËRT E SUPERLIGËS, ME REZULTATE MJAFT INTERESANTE

Kampionati në fillim po tregohet shumë joshës

Drita është skuadra, që ka investuar më së shumti gjatë afatit kalimtar të verës dhe këto rezultate i kanë zhgënjyer maksimalisht tifozët, të cilët kanë kërkuar përgjegjësi nga lojtarët

Skuadra e Dritës ka dështuar në Prizren dhe përfundimisht është futur në një situatë aspak të mirë dhe kjo mund të sjellë pasoja në ekip. Gjilanasit kanë pësuar humbje në derbin e javës së katërt të Vala Superligës nga Liria për ta humbur kështu bukur shumë hapin me skuadrat e kreut të tabelës, aty ku edhe është synimi i gjilanasve. Të kujtojmë se Drita është skuadra, që ka investuar më së shumti gjatë afatit kalimtar të verës dhe këto rezultate i kanë zhgënjyer maksimalisht tifozët, të cilët kanë kërkuar përgjegjësi nga lojtarët. Në ndeshjet e tjera, Prishtina ashtu siç ishte paralajmëruar se do të ketë vështirësi në Skenderaj përballë Drenicës edhe doli.

Liria konfirmon forcën

Padyshim kampionati i sivjetmë duket të jetë shumë interesant, kjo për faktin se më asnjë skuadër nuk po mund të tregohet dominuese. Kampioni aktual, Trepça'89, ka bërë befasinë më të madhe pasi ka pësuar humbje ndaj të fundit në tabelë Vllaznisë së Pozhoranit duke dëshmuar qartë se sivjet asgjë nuk është e parashikuar. Sa i përket derbit të kësaj jave të zhvilluar në Prizren ndërmjet Lirisë e Dritës, ai ka sjellë një lojë të fortë me rivalitet të madh. Liria e vetëdijshme se vetëm me pikë të plota mund ta cilësojë si sukses këtë ndeshje, nga minuta e parë e ka sulmuar Dritën, e cila në fushë dukej e humbur dhe nuk e kishte të qartë se çfarë dëshironte. Kjo edhe bëri që pas vetëm 14 minutave lojë, Liria të shënojë gol përmes Qëndrim Gashit. Prizrenasit e kanë dyfishuar epërsinë përmes Artur Maganit, duke i dhënë një përparësi të konsiderueshme skuadrës së tij dhe njëherësh duke sjellë qetësi te Liria. Në anën tjetër, Drita, assesi nuk gjente forcë për t'u kthyer në lojë dhe nuk i mbeti asgjë tjetër, veçse të pajtohet edhe me një rezultat dëshpërues.

Drenica e Prishtina ndahen në paqe

Drenica e Prishtina edhe njëherë kanë treguar një rivalitet të madh. Ani pse synimet e këtyre dy skuadrave janë krejtësisht të kundërta, Drenica po lufton për mesin e tabelës, në mënyrë që t'i shmanget rënies nga liga, derisa Prishtina, objektivin e vetëm e ka titullin e kampionit. Duhet pranuar që Prishtina në këtë sfidë ishte me fat pasi Drenica pati më shumë nga loja dhe kishte disa raste të qindpërqindta, madje kuqezinjtë tri herë e qëlluan shtyllën. Në anën tjetër të përzgjedhurit e trajnerit Arsim Thaqi nuk ishin as hija e dy ndeshjeve të fundit, dhe se duket se për ta këtë herë rëndësi të vetme kishte rezultati duke e lënë në plan të dytë lojën e bukur. Ishte futbollisti i ardhur gjatë verës Drashko Bozhoviq ai që shënoi për Prishtinën për të menduar se këtu do të shënohet fitorja e tretë me radhë, por ja që ish-futbollisti i Prishtinës tash në radhët e Drenicës, Genc Hamiti, ne minutat shtesë barazoi rezultatin 1:1. Në takimet e tjera, Besa ka vazhduar me fitore në fushën e vetë. Skuadra pejane e ka mposhtur Flamurtarin, duke e lënë kështu edhe pas javës së katër pa fitore skuadrën e rikthyer në elitën e futbollit kosovar.

(Kosova Sot)