Ekipet, në gjumë të thellë

  • 14 September 2017 - 09:57
Ekipet, në gjumë të thellë

SKUADRAT E MËDHA 'DORËZOHEN' PARA FILLIMIT TË EDICIONIT 

Vetëm bardhekaltrit me përforcime të mëdha

Peja dhe Trepça nuk kanë kaluar krizën e edicionit të kaluar, dhe edicioni i ri në basketboll rrezikon të jetë më i dobëti që nga pas lufta. Sigal Prishtina ka bërë përforcime për garat evropiane, derisa Bashkimi, Ylli e Rahoveci do të mundohen t'i bëjnë ballë bardhekaltërve, edhe pse do të jetë shumë vështirë

Edicioni i kaluar në basketbollin kosovar u përcoll me shumë probleme, por edhe ai i ri rrezikon që të mos jetë në nivelin e dëshiruar. Dy skuadrat me traditë në basketbollin e Kosovës, Peja dhe Trepça nuk kanë kaluar problemet financiare që kishin dhe është në pikëpyetje sesi do të paraqiten për edicionin e ri. Kriza e thellë ka kapluar Pejën, që është dënuar me 100 mijë euro, dhe nuk mund të bëjë transferime, as me lojtarë vendorë, dhe as të huaj. Ndërkohë, mitrovicasit kanë paralajmëruar se do të luajnë me lojtarë të rinj vetëm për të garuar, por më mirë nuk janë edhe skuadrat tjera. Sigal Prishtina është përforcuar për Ligën e Kampionëve, ashtu si edhe Bashkimi për Ligën Ballkanike, derisa edhe Ylli e Rahoveci janë treguar aktive, por bardhekaltrit shihen si të pakonkurrencë, si në garën për titull, ashtu edhe për Kupë. 

Skuadrat me probleme të thella financiare 

Ish-basketbollisti i njohur, Artan Mehmeti thotë se skuadrat tona janë në gjumë të thellë dhe nuk pret një edicion ndryshe nga ai i kaluar. "Edhe një edicion tjetër skuadrat tona po i zë në gjumë të thellë. Përveç Sigal Prishtinës, e cila duket se dëshiron të ketë paraqitje të mirë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, skuadrat tjera kanë probleme të thella financiare. Po ashtu edhe Bashkimi është përforcuar për Ligën Ballkanike, derisa skuadrat tjera kanë mbetur më prapa", ka thënë Artan Mehmeti për gazetën "Kosova Sot". Në edicionin e kaluar mungoi rivaliteti ndërmjet katërshes së madhe, ku kishte rënie në cilësi dhe shikueshmëri. Peja dhe Trepça u 'dorëzuan' para kohe dhe nuk mundën të luftojnë për titullin e kampionit. Dy skuadrat me traditë në basketbollin e Kosovës u përballën me probleme financiare, por më mirë nuk qëndruan as skuadrat tjera, duke bërë që të ishte një edicion jo shumë cilësorë. Gjithashtu ekipet që u paraqitën në garat ndërkombëtare kishin një orar shumë të ngjeshur dhe lojtarët u ankuan në lodhje. 

Prishtina e pakonkurrencë 

Por, këto probleme duket se do të jenë prezente edhe në edicionin e ardhshëm. Mehmeti frikësohet se do të jetë edicion edhe më i dobët se i kaluari. "Ylli dhe Rahoveci janë përforcuar dhe do të ketë rivalitet më të theksuar për ekipet tjera, përveç Sigal Prishtinës. Le të shpresojmë që ekipet tjera do të këndellën në ditët në vijim, përndryshe do të jetë viti më i dobët që kemi përcjellë në këto vitet e pasluftës", shtoi tutje Artan Mehmeti për gazetën "Kosova Sot". Prishtina ka marr lojtarët më të mirë vendorë dhe synimi i kësaj skuadre është paraqitja e mirë në garat ndërkombëtare, që nuk e kishte arritur edicionin e kaluar, kurse në garat vendore, nuk pritet që të ketë shumë konkurrencë nëse skuadrat tjera nuk bëjnë përforcime të mëdha. Ndërkohë, Bashkimi do të jetë skuadra e vetme që do të përfaqësojë Kosovën në Ligën Ballkanike, kurse edicionin e kaluar ishin katër ekipe. Edicionin e kaluar përveç që kishte shumë probleme në garat vendore, skuadrat kosovare nuk kishin paraqitje shumë të mira edhe në ato ndërkombëtare, duke përmbyllur një vit jo shumë të suksesshëm për basketbollin kosovar.

(Kosova Sot)