Një tifoz i Juventusit gjeti vdekjen gjatë derbit me Torinon

  • 24 September 2017 - 18:31
Një tifoz i Juventusit gjeti vdekjen gjatë derbit me Torinon

Një tifoz i Juventusit ka vdekur tragjikisht pasi u sëmur gjatë derbit të Serie A, të zhvilluar mbrëmë (e shtunë) ndaj Torinos.

Sipas njoftimeve në mediat italiane, tifozi i vdekur i Bianconerëve njihej me emrin Marco.

Ai ndoqi ndeshjen derbi ndaj Torinos me miqtë e tij, por u sëmur gjatë fundit të pjesës së dytë të ndeshjes.

Mediat raportojnë se Marco është alivanosur gjatë festimeve të golave të fundit të Juventusit në fitoren e tyre 4-0, me stafin mjekësor që intervenoi menjëherë.

Ndonëse, tifozi u nis menjëherë në spital nga ambulanca, situata nuk u përmirësua dhe ai vdiq gjatë rrugës.

Kjo nuk është hera e parë këtë vit që vdes një tifoz i gjigantit italian, Juventusit.

Fatin e njëjtë e pati edhe një tifoze femër e cila vdiq në njërin nga sheshet e qytetit, duke shikuar finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Real Madridit.

Vdekja e asaj tifoze erdhi pas shkeljes nga turma e njerzëve pas një alarmi të rrejshëm për bombë.

(Kosova Sot)