Volejbolli, në gjendje të rëndë!

  • 25 September 2017 - 09:49
Volejbolli, në gjendje të rëndë!

Volejbolli kosovar në vitet e fundit është përballur me shumë probleme, si financiare, infrastrukturore e shumë pakë- naqësi. Por, dorëheqja e shtatë anë- tarëve të Bordit të Federatës së Volejbollit të Kosovës ka bërë që gjendja të rëndohet edhe më shumë. Dorëheqja e tyre ka lënë shumë enigma, derisa duhet gjetur një zgjidhje sa më shpejt për këtë situatë dhe që volejbolli i Kosovës të shkojë përpara.

Po i shikojnë vetëm interesat personale

Trajneri i mirënjohur i volejbollit, Xhavit Kajtazi, komenton ndodhitë e fundit në volejbollin e Kosovës. "Asnjëherë në historinë e tij volejbolli i Kosovës nuk i ka pasur kushtet më të mira financiare. Me një buxhet prej afro njëqind e tetëdhjetë mijë euro (180.000 euro), e me shumë përfitime të tjera shtesë, nuk ka pasur se si të mos jetë i kënaqur jo vetëm Këshilli drejtues i federatës, por edhe i tërë komuniteti i volejbollit. Mirëpo, për fatin e keq të këtij sporti, nuk ishin mungesat e lekëve pengesë për ecje përpara. Përkundrazi, ishte faktori njeri që ngriti diga e barriera për të ngulfatur gjithçka që do të mund të ishte pozitive për sa i përket zhvillimit aq shumë të pritur. Pasojë e kësaj gjendjeje dhe e rrethanave, që u krijuan po nga faktori njeri, ishin edhe problemet dhe mosmarrëveshjet në drejtimin Këshill drejtues i FVK-së - klube, dhe, aq më keq, njerëz të këtij këshillit brenda vetes. Këto raporte, gjithnjë të acaruara, e kanë vënë volejbollin e Kosovës në një udhë pa krye, duke mos e lënë që zhvillohet, për teke dhe kapriçe personale të vetë njerëzve brenda këtij këshilli, të cilët, siç u reflektua edhe në opinion, kishin shkuar aty për të mbrojtur interesat personale, për më keq, interesat e klubeve të tyre, që, siç po shihet tash paskan qenë dhe janë fenomeni që i ka shkaktuar dhe vazhdon t'i shkaktojë pengesa dhe probleme të shumanshme volejbollit", është shprehur Xhavit Kajtazi për gazetën "Kosova Sot". Ai ka shtuar se të gjithë janë përgjegjës për këtë situatë. "Pra, të gjithë së bashku, kush më pak e kush më shumë, klubet dhe njerëzit e federatës, krijuan një gjendje të pakëndshme, nga e cila vështirë se do të mund të dalin. Si mund të dalin kur secili prej tyre, nuk janë në gjendje të tejkalojnë vetveten për të thënë sinqerisht: këtu kemi ardhur për të mbrojtur interesin e volejbollit të Kosovës dhe jo interesat personale, grupore e klanore... Mëkat... Sytë po duam t'ia nxjerrim njëri-tjetrit. Ndërkohë, përditë e më tepër, të rinjtë po ia kthejnë shpinën volejbollit. Fajtori, përsëri po dihet - njeriu. Në vend se të merremi me zhvillimin e volejbollit, ne recitojmë vjersha për historinë e tij, kush ishte i pari, kush i dyti, kush i treti që ka merita për këtë apo atë periudhë. Sikur të gjithë jemi shndërruar në historianë!?", shtoi tutje Xhavit Kajtazi për gazetën "Kosova Sot".

Federata me buxhet të mirë, klubet e varfra

Kajtazi tutje theksoi se kur vetë anë- tarët e Bordit janë të pakënaqur me keqmenaxhime, atëherë çka mund të pritet tjetër. " 'Një fjalë e urtë jona thotë: 'Atë sorrë që e ushqen - ajo t'i nxjerr sytë!'... Ku po dua të dal? Janë pikërisht këta njerëz që me votën e tyre e sollën kryetarin, të cilin sot po duan ta largojnë nga posti. E çuditshme, apo jo?! Nuk e di nëse ka pasur premtime që është dashur të jetësohen apo një Zot e di çka, por një gjë është e qartë dhe e sigurt - ne, siç po shihet, nuk po na bien tamam asnjë këpucë! Lagja tjetër, që kishte lobuar për kundërkandidatin e kryetarit të tashëm, dhe kishte humbur, një nga një (me shumë pak përjashtime) u ftuan në "bashkëqeverisje", dhe sot mbajnë poste edhe "politike", edhe profesionale, madje edhe teknike. Unë nuk i di saktë shkaqet se përse erdhi deri te reagimet e vazhdueshme ndaj kryetarit dhe një pjese, mbase edhe tërë kontingjentit të Këshillit drejtues, por kur i lexova ato në letrën e shtatë të dorëhequrve, e kuptova qartë se në çfarë gjendje të rëndë ndodhet volejbolli i Kosovës... Kur vetë anëtarët e Këshillit drejtues thonë se ka keqmenaxhim e shumëçka tjetër, çka mund të pritet më tutje. Një federatë me një buxhet shumë të mirë, dhe me klube të varfra, kërkon ndërgjegjësimin e të gjithë atyre që e duan ecjen përpara dhe jo interesat e ngushta personale, grupore e klanore. Për sa e kam përcjellë dhe e njoh gjendjen në volejbollin e Kosovës, asnjëherë nuk pash një dokument të shkruar që quhet "Strategjia e zhvillimit afatshkurtër, afatmesëm apo afatgjatë e volejbollit të Kosovës", asnjë projekt, asnjë program, asnjë plan, e kështu me radhë. E si të shkohet përpara ndryshe? ..." ", përfundoi Xhavit Kajtazi për gazetën "Kosova Sot".

(Kosova Sot)