< Ëndërruam një tjetër Kosovë - Sport - Kosova Sot
Ėndėrruam njė tjetėr Kosovė

Ėndėrruam njė tjetėr Kosovė

PËRFAQËSUESJA E KOSOVËS NË FUTBOLL DËSHPËROI NË ELIMINATORET PËR BOTËROR

Një trajner i huaj mendohet se është zgjidhje e mirë për Kosovën

"Kosova duhet të ndjekë rrugën e Shqipërisë, e cila me trajner të huaj ndryshoi edhe mentalitetin dhe mënyrën e lojës. Pa nënçmuar trajnerët tanë, unë mendoj se urgjentisht duhet të përzgjedhim një trajner nga jashtë, i cili ka përvojë në garat ndërkombëtare, trajner me autoritet e karakter fituesi, i cili sjell frymë dhe risi në përfaqësuesen tonë të re", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" Genc Sermaxhaj

Ishte ëndërruar një Kosovë krejt ndryshe nga kjo që u pa në eliminatoret "Rusia 2018", që dorën në zemër nuk sollën asgjë tjetër përveç një dëshpërimi të thellë. 3 gola në 10 ndeshje, 9 humbje dhe vetëm një barazim nuk ka se si të quhet ndryshe vetëm se një "zgjim nga gjumi". Eliminatoret "Rusia 2018" treguan qartë se ku jemi, ato nuk lanë vend për fjalë. Të gjithë tash e kemi të qartë se ku dështuan dhe çfarë kërkohet për të pasur suksese, kështu që përgjegjësia duhet të bie në adresën e duhur në mënyrë që gjërat të kthehen në normalitet, ndryshe mund të zhgënjejmë kështu edhe në kualifikuesit për Kampionatin Evropian që fillojnë në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm. Ish-futbollisti i njohur, Genc Sermaxhaj, aktualisht analist i futbollit në një bisedë për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se në përgjithësi Kosova pati paraqitje të nivelit të dobët dhe barometri më i mirë janë statistikat dëshpëruese. 

Bunjaki duhet falënderuar

"Kosova në përgjithësi pati paraqitje të nivelit të dobët krahas kundërshtarëve që i patëm në grup. Një pikë e tre gola të shënuar dhe shumë të pësuar është barometri më i saktë për të vlerësuar paraqitjet tona. Sa i përket përzgjedhësit, Albert Bunjaki, ai ka bërë punë të mirë para dhe pas pranimit në FIFA dhe e ka merituar këtë cikël garues, por më pas kanë ndodhur disa gabime nga ai në përbërjen startuese, në zëvendësime, në lojtarë jo të qëlluar për përfaqësuesen tonë, pasi disa nga ta nuk kanë pas minutazh të mjaftueshëm as në ekipet e tyre", ka thënë për "Kosova Sot" Sermaxhaj. "Fati i keq ishte që patëm në grup Kroacinë, Turqinë, Islandën, Ukrainën dhe dallimi në cilësi individuale dhe kolektive ka qenë jashtëzakonisht i madh. Problemin më të madh e kemi pasur në repartin defensiv dhe ofensiv, pra për nëntë ndeshje nuk kemi arritur të komponojmë një mbrojtje. Kemi pasur lojtarë të ngadalshëm dhe nuk pozicionoheshin mirë në momentet e caktuara të ndeshjeve. Kemi pasur një sulm të dobët, futbollistë pa kreativitet, pa cilësi, madje kemi bërë pak goditje në porta, nuk jemi treguar të rrezikshëm edhe pse kemi mundur më shumë. Mesfusha ka qenë në nivel mesatar, edhe pse angazhimi nuk ka munguar tek asnjë futbollistë, duhet përmendur Valon Berishën, i cili ishte më i miri tek ne", vlerësoi për "Kosova Sot" asi gjilanas.

Shembull Shqipëria

Pa dyshim sivjet krenaria e gjithë shqiptarëve ka qenë Kombëtarja e Shqipërisë, e cila ka pasur një paraqitje brilante. Ani pse këtë vit nuk e arritën kualifikimin, pasi ishte e pamundur të kalosh gjigantet si Spanja e Italia, gjithsesi u tregua shumë e madhe. Dhe pikërisht kjo kombëtare sipas Sermaxhajt duhet të jetë shembull për ne. "Për të pasur sukses, Kosova duhet të ndjek rrugën e Shqipërisë, e cila me trajner të huaj ndryshoi edhe mentalitetin dhe mënyrën e lojës. Pa nënçmuar trajnerët tanë, unë mendoj se urgjentisht duhet të përzgjedhim një trajner nga jashtë, i cili ka përvojë në garat ndërkombëtare, trajner me autoritet e karakter fituesi, trajner me metoda të reja të punës, i cili sjell frymë dhe risi në përfaqësuesen tonë të re. Gjithashtu duhet t'i kemi sytë edhe nga përfaqësuesja U-19, U-21, ngase kemi futbollistë që e meritojnë t'u jepet rasti në përfaqësuesen A", përfundoi Genc Sermaxhaj.

(Kosova Sot) 

16 orë e 1 minuta më parë