Dështimi i Kosovës, rrezik edhe për Superligën

  • 12 October 2017 - 09:50
Dështimi i Kosovës, rrezik edhe për Superligën

MOTIVI I TË RINJVE MUND TË ZBEHET, PAS REZULTATEVE TË DOBËTA NË ELIMINATORE 

Kosova po cilësohet si Gjibraltari e San Marino

UEFA, me caktimin e vazove për Ligën e Kombeve, e ka ranguar Kosovën aq ulët, sa mbrapa nesh ka lënë vetëm Gjibraltarin dhe San Marinon, një krahasim i turpshëm për futbollin tonë, i cili, dorën në zemër, nuk e meriton këtë dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi

Rrugëtimi zhgënjyes i Përfaqësueses së Kosovës në eliminatoret për kampionatin Botëror "Rusia 2018", ka bërë që të mbetet në një rang me ekipet që janë në fundit e renditjes së kombëtareve në Evropë. UEFA, me caktimin e vazove për Ligën e Kombeve, e ka ranguar Kosovën aq ulët sa mbrapa nesh e ka lënë vetëm Gjibraltarin dhe San Marino, një krahasim i turpshëm për futbollin tonë i cili dorën në zemër nuk e meriton këtë, dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Mirëpo, kjo nuk është e keqja e vetme për futbollin kosovar, ai dëshpërim në eliminatore mund të ketë ndikim shumë të keq në vetë Ligën e Kosovës dhe të rinjtë, të cilët mund ta humbasin interesimin. Këtë gjë, në një bisedë për gazetën "Kosova Sot", e pohon edhe trajneri vushtrrias, Bekim Shotani, sipas të cilit ka ardhur koha e punës dhe me një bashkim forcash, të punohet për ngritjen e futbollit, ndryshe do të jemi në pozicione edhe më të këqija. 

Shotani: Kështu nuk shkon më

Ish- trajneri i Kosovës së Vushtrrisë, Trepçës'89 dhe aktualisht trajner i Drenicës, e pranon se futbolli ynë është në nivel shumë të ulët dhe se këtë gjë nuk mund ta mohojë askush. Sipas Shotanit, ka ardhur koha kur gjërat të thuhen ashtu siç janë, pasi vërtet jemi në nivele shumë të ulëta. Shotani e pranon se dështimi i Kosovës në kualifikuese mund të ketë ndikim te Superliga, por ai thotë se fatmirësisht këtë dëshpërim e mbuluan kategoritë, U19 dhe U21, që po paraqiten shumë mirë në eliminatoret për Evropën. "Askush nuk mund të thotë se rezultatet e dobëta në eliminatore nuk kanë ndikim. Mirëpo, ne kemi fatin që U19 dhe U21 po japin sinjale të mira dhe duhet aty të mbajmë shpresën", ka thënë për "Kosova Sot", Bekim Shotani, duke folur më pas për nivelin e futbollit tonë. "Duhet pranuar që Superliga jonë është shumë larg. E kam fjalë për të gjitha 12 ekipet elitare. Jemi larg qoftë me organizim, qoftë me kushte, infrastrukturë dhe udhëheqje profesionale. Ne jemi duke e mashtruar veten dhe duke ia bërë qejfin vetes. Shpresa thonë vdes e fundit, por vërtet jemi shumë larg", ka thënë për "Kosova Sot", Shotani.

Shpresa te talentet në Evropë

Sipas trajnerit vushtrrias, derisa nuk krijohen Akademi në shkollat e futbollit nëpër klubet tona, ecuri pozitive nuk do të ketë. Kjo punë që po bëhet tash nuk ka lidhje me profesionalizëm. Gjithsesi, Shotani shpresën më të madhe e sheh te futbollistët e rinj që po zhvillohen në Evropë dhe pikërisht tek ata e sheh përfaqësimin e Kosovës. "Derisa nuk formohen Akademitë e shkollave brenda klubeve nuk ka sukses. Ne kemi fatin që kemi shumë të rinj jashtë vendin që janë pjesë në Akademi të futbollit profesional. Ata na japin shpresa për të na përfaqësuar si duhet në të ardhmen. Sa u përket lojtarëve këtu është vështirë të nxirret me e mira me këtë formë të punës që po bëjmë", ka thënë Shotani, duke i bërë më pas një analizë të shkurtër edhe paraqitjes së Kosovës në kualifikuesit për Kampionatin Botëror "Rusia 218", e ku, sipas tij, për gjithçka fajtor është Albert Bunjaki. "Problemet e njëjta që i ka pasur përfaqësuesja janë edhe nëpër klube. Nuk jemi pjekur ende për sfida të mëdha, derisa edhe mentaliteti po e bën të vetën. Përveç kësaj, edhe shteti po e neglizhon sportin dhe të gjitha këto na kanë sjellë në këtë situatë ku jemi", ka përfunduar Bekim Shotani.

(Kosova Sot)