Pa para, por me vullnet

  • 12 October 2017 - 10:06
Pa para, por me vullnet

KLUBI I PEJËS NË KRIZË TË THELLË

Lojtarët e rinj po e mbajnë gjallë skuadrën verdhezi 

Skuadra e Pejës po përjeton një krizë të thellë, më të rëndën pas luftës, ku është në një gjendje shumë të vështirë. Skuadra pejane u mbeti borxh lojtarëve në edicionin e kaluar, kurse në edicionin e ri nuk ka bërë asnjë përforcim, as vendor dhe as të huaj. Por, klubin verdhezi po e mbajnë gjallë lojtarët e rinj, të cilët edhe pse luajnë pa para kanë vullnet të madh

Njëra nga skuadrat që ka luftuar gjithmonë për trofe pas luftës në basketboll është Peja. Kjo skuadër luftonte për titull e Kupë, derisa më 2013 fitoi titullin, pasi mundi në finale Sigal Prishtinën, që ishte një sukses i madh për klubin, duke u kthyer në listën e klubeve me trofe. Por, skuadra verdhezi ndodhet në krizë të thellë, më e thella pasluftës. Edicionin e kaluar e përmbyllën me shumë probleme, duke u mbetur borxh lojtarëve në paga.

E nisën shumë vonë 

Por, edhe më keq e kanë nisur këtë edicion, ku nuk kanë bërë asnjë transferim, as vendor dhe as të huaj. Derisa ishte në pikëpyetje fillimi i garave, lojtarët e rinj kanë marrë përgjegjësinë dhe kanë pranuar të luajnë. Njëri ndër ta është Leonard Mekaj, i cili luan edhe për Përfaqësuesen e Kosovës në basketboll."Situata në klub ka qenë e vështirë deri në momentin e fundit para se të hyjmë në ligë, mirëpo në javën e fundit kanë paguar një pjesë të vogël të pagave të vitit të kaluar. Kështu jemi pajtuar që të luajmë në këtë stinor edhe pse nuk do të jetë aspak lehtë", ka thënë Leonard Mekaj për gazetën "Kosova Sot". Edhe klubi pejan me anë të një njoftimi ka bërë të ditur se do të luajnë vetëm në garat vendore."Duke u nisur nga fakti që kemi probleme ligjore të cilat në të ardhmen do të rregullohen, por edhe kërkesave të shumta që të përkrahen lojtarët e rinj, këtë sezon kemi planifikuar që të ju japim hapësirë më të madhe ekipit i cili për nga mosha është ndër më të rinjtë në Superligën e Kosovës në basketboll. Peja me hapa të sigurt do të kthehet aty ku e ka vendin", ishte njoftimi i klubit pejan në rrjetet sociale në fillim të këtij kampionati, që është dukshëm më i dobët se i viteve të kaluara.

Japin maksimumin në çdo ndeshje 

Përveç Mekajt në ekipin pejan janë edhe Arti Hajdari, Beq Kovaqi, Arian Qallaku, Rron Grapci, Blend Kadusha dhe Rron Uka, kurse trajner është Bujar Loci, i cili pritet të udhëhiqet këtë edicion. Skuadra pejane nuk ka bërë përforcime, për shkak të dënimit nga FIBA. Peja nga dy ndeshje të zhvilluara këtë edicion, ka një fitore dhe një humbje. Në xhiron e parë mundën Trepçën, derisa më pas u mposhtën nga Sigal Prishtina. Mekaj është i kënaqur me paraqitjet në këtë edicion."Kemi filluar shumë vonë. Megjithatë, edhe pse kemi nisur vonë, kemi pasur rezultate të mira, duke mundur Trepçën, derisa jemi përballur me Prishtinën që është super e përforcuar. Ne kemi qenë të gjithë vendorë dhe në mungesë të lojtarit të gjatë ne kemi bërë një lojë të mirë. Ne po ushtrojmë dy herë në ditë me trajnerin Bujar Loci. Jemi të gjithë lojtarë vendorë dhe të rinj. Jemi të gatshëm të tregojmë veten në çdo moment për lojëra të mira", përfundoi Leonard Mekaj për gazetën "Kosova Sot". Kriza e Pejës ka bërë që edhe kampionati të jetë më i dobët dhe të ketë më pak rivalitet, si dhe më pak shikueshmëri. 

(Kosova Sot)