< Januzi vendos gjithçka VETË NË MITROVICË - Sport - Kosova Sot
Januzi vendos gjithēka VETĖ NĖ MITROVICĖ

Januzi vendos gjithēka VETĖ NĖ MITROVICĖ

Prishtina ka marrë një fitore të madhe në Mitrovicë, duke e mposhtur kampionin aktual, Trepçën'89, me rezultat 2:0, në derbin e javës së 10-të të Vala Superligës së Kosovës në futboll. Pas tri ndeshjeve shterpe, trajneri i Prishtinës, Mirel Josa, sikur e ka gjetur formulën e skuadrës së tij, duke arritur kështu të marrë dy fitore radhazi madje ndaj rivalëve shumë të mëdhenj. Në anën tjetër një ndeshje shumë e fortë, ashtu siç është pritur, është zhvilluar në Gjakovë, ku skuadra e Vëllaznimit është ndeshur me Dritën. Pas një 90 minutësh të zjarrtë në fund të dyja skuadrat janë ndarë në paqe duke i ndarë pikët, pasi ndeshja u mbyll pa fitues.

Rikthehet Prishtina

Prishtina triumfit në Mitrovicë përballë Trepçës'89 i është gëzuar falë performancës së jashtëzakonshme të sulmuesit vushtrrias, Ahmed Januzi, i cili pas një kohe të gjatë shterpe sikur zhbllokohet për të ardhur te goli. Januzi në këtë sfidë shënoi të dy golat për bardhekaltrit, sinjal ky që ai e ka lënë anash krizën që e kishte kapluar dhe tash e tutje Prishtina mund të llogarisë shumë më shumë tek ai. Ndeshja në Mitrovicë nisi me ritëm të lartë, por përvoja e kryeqytetasve e bëri të veten, pasi ata rastin e parë të ofruar e kanë shfrytëzuar për t'i dhënë kështu ndeshjes kahe krejt tjetër. Kur luhej minuta e 6-të, pas një kundërsulmi të shpejtë më së miri në zonë është gjetur Januzi, i cili më kokë ka shënuar gol për t'i dhënë Prishtinës epërsi prej 1:0. Ky gol sikur krijoi tension te Trepça'89, e cila nisi me ngulmë ta kërkojë golin e barazimit. Kampionët në këtë periudhë zhvilluan lojë të mirë dhe disa herë rrezikshëm iu afruan golit, por portieri Visar Bekaj ishte i pakalueshëm duke i ndalur disa raste të qind për qind të mitrovicasve. Në anën tjetër Prishtina sikur e ruante kundërsulmin dhe në minutën e 35- të, Ahmed Januzi bukur shërbehet në mesin e fushës nga Bozoviq, ku me hapa të shpejtë i afrohet zonës për të gjuajtur në mënyrë precize dhe për të shënuar edhe golin e dytë të Prishtinës, i cili doli të jetë vendimtar në këtë ndeshje. "Prishtina ka objektiva të tjera, jo ta fitojë një ndeshje, prandaj duhet të jemi të qetë dhe të mendojmë për ndeshjet e radhës. Nuk duhet assesi të jemi euforik, por të marrim ndeshjet një nga një. Ajo që më brengos është loja nga krahët ku ende po mungon efikasiteti i dëshiruar. Menjëherë pas kësaj duhet të mendojmë për ta organizuar ndeshjen e radhës", ka thënë pas takimi trajneri i Prishtinës, Mirel Josa. Në anën tjetër tekniku mitrovicas, Sabit Osmani, mendon se ekipi i tij luajti mirë, por fati në disa raste nuk ishte në anën e tyre. "E kam ditur para ndeshje që në çdo gabim Prishtina mund të na ndëshkojë. U munduan në pjesën e dytë ta rikthej lojën, por Prishtina u mbrojë shumë mirë, nuk e kishim një lojtar që e bën diferencën në këtë ndeshje. Prishtina u mbrojt gjatë gjithë kohës. Kam pritur minimum një barazim. Ne jemi kampion dhe duhet të vazhdojmë përpara", ka thënë trajneri i Trepçës'89, Sabit Osmani.

Vëllaznimi e Drita ndahen në paqe

Një takim shumë i mirë është zhvilluar në Gjakovë, ku u përballën Vëllaznimi e Drita. Të dyja skuadrat janë në një formë shumë të mirë dhe kjo bëri që ballafaqimi i tyre të pritet me kërshëri. Të dyja skuadrat kanë luftuar shumë dhe në fund barazimi mund të quhet real. Gjakovarët kaluan të parët në epërsi me golin e Tun Bardhokut në minutën e 7-të, por vetëm pas gjashtë minutash Drita barazoi shifrat me golin e Ardian Limanit. Deri në fund të dyja skuadrat kanë pasur disa raste shënimi, por jo edhe aq sa për të shënuar gol, duke bërë që një numër i konsiderueshëm i tifozëve të mos shohin më asnjë gol. Në anën tjetër Gjilani ka shënuar fitore në shtëpi në duel me Drenicën, me rezultat 2:1, duke u ngjitur në pozitën e dytë në renditje. Golat për gjilanasit i shënuan Armend Thaçi në minutën e 60-të dhe Sami Geci në minutën e 83-të autogol, derisa golin e nderit për kuqezinjtë e Skenderajt e shënoi Genc Hamiti, në minutat shtesë. Para tifozëve të vet fitores iu gëzua edhe Besa, e cila e mposhti Vllazninë, me shifrat 3:1, me golat e shënuar nga Florent Qorraj (20'), Fetim Kasapi (55') dhe Altin Merlaku (72'), derisa Vllaznia golin e nderit e shënoi në minutën e 75-të. Në këtë takim në bankinën e Vllaznisë debutoi trajneri Bylbyl Sokoli I cili vetëm dy ditë më parë mori postin e trajnerit pas shkarkimit të Bekim Isufit.

Liria befason Feronikelin

Ditën e shtunë janë zhvilluar dy ndeshje në kuadër të javës së 10-të në Vala Superligën. Liria e ka befasua Feronikelin, duke e mposhtur në stadiumin "Rexhep Rexhepi" në Drenas, me rezultat 1:0. Golin e fitores për prizrenasit e shënoi Artur Magani në minutën e 50-të. Feronikeli që nga minuta e 68-të luajti me një lojtar më pak pasi Mendurim Hoti u përjashtua pas dy kartonëve të verdhë. Kjo fitore e kthen Lirinë në pjesën e epërme të tabelës dhe njëherësh e konfirmon si skuadër shumë serioze në luftë për trofe. Në anën tjetër Feronikeli përfundimisht dëshmoi se është në krizë dhe se ardhja e trajnerit të ri Zekerija Ramadani nuk është duke bërë punë në këtë fillim të kampionatit. Gjithsesi, deri në fund të garave ka shumë ndeshje për t'u zhvilluar dhe gjithçka mund të ndodhë, mirëpo, siç po shkojnë gjërat në këtë fillim, atëherë gjasat që "Nikli" edhe këtë edicion të mbetet pa trofe janë të mëdha. Në anën tjetër me rezultate të mira ka vazhduar Llapi i cili si vendas ka shënuar fitore me rezultat 1:0, ndaj Flamurtarit. Golin për tri pikë të reja të llapjanëve e ka shënuar Mirlind Daku, në minutën e 52-të me gjuajtje me kokë, për ta mbajtur njeherësh skuadrën e tij në kreun e renditjes tabelare.

(Kosova Sot)

17 orë e 25 minuta më parë