< Kaepernick i denoncon 32 ekipet e NFL - Sport - Kosova Sot
Kaepernick i denoncon 32 ekipet e NFL

Kaepernick i denoncon 32 ekipet e NFL

Colin Kaepernick u shndërrua në personazh gjatë këtyre javëve për mënyrën e protestës së tij kundër racizmit, me mbështetjen e njërit gju në tokë në momentin e ekzekutimit të himnit amerikan në ndeshjet e National Football League (NFL).

“Quarterback”-u, i cili është një lojtar i lirë, pasi e ka mbyllur kontratën me San Francisco 49ers, ende nuk e ka gjetur një skuadër tjetër, ndërkohë që janë zhvilluar 6 javët e para të sezonit të ri të NFL.

Deri tani, Kaepernick është refuzuar dhe kjo e ka shtyrë atë që nëpërmjet avokatëve të tij të ndërmarrë hapa ligjorë kundrejt pronarëve të 32 skuadrave të këtij kampionati. Ai që e konfirmoi këtë ishte përfaqësuesi i Kaepernick, Mark Geragos, sipas të cilit, ajo që po i bëhet klientit të tij është diçka e padrejtë dhe se një precedent i tillë përbën një kërcënim për të gjithë patriotët amerikanë, të cilët po shohin se vendi po jeton ditët më të errëta të tij. 

Kaepernick theksoi se agjenti i tij kishte folur me përfaqësuesit e 32 skuadrave të NFL për të parë nëse ishin të interesuara për të dhe në fakt kandidaturat nuk mungonin. Miami Dolphins, Baltimore Ravens, Tenessee Titans apo Green Bay Packers e menduan të merrnin Kaepernick, por në fund vendosën për të tjera opsione. 

Ndërkaq, Shoqata e Lojtarëve të NFL ka dalë në mbrojtje të Kaepernick, duke deklaruar se do të mbështesin “quarteback”-un 29-vjeçar në këtë betejë ligjore kundër Ligës së Futbollit Amerikan.

Në 6 sezonet e fundit në NFL, Kaepernik ka dhënë pasime prej 12 271 jardë për 72 “touchdown” si dhe ka bërë 30 interceptime. Këtyre statistikave u shtohen 2300 jardët e përshkuara dhe 13 “touchdown”-ët e shënuar.

Në vitin 2012, Kaepernick u bë lideri i San Franciscos drejt finales së madhe të “Super Bowl”. 

(Kosova Sot)

23 orë e 41 minuta më parë