< Palestrat, larg nivelit të dëshiruar - Sport - Kosova Sot
Palestrat, larg nivelit tė dėshiruar

Palestrat, larg nivelit tė dėshiruar

MUNGOJNË KUSHTET NËPËR PALESTRAT NË KOSOVË

Infrastruktura, 'thembra e Akilit' në sportin kosovar

Sportet me dorë, basketbolli, hendbolli dhe volejbolli kanë nisur me aktivitetet e tyre, por palestrat në Kosovë nuk i plotësojnë kushtet për gara. Më keq do të jetë gjatë dimrit, kur temperaturat do të jenë minus, kurse palestrat në Kosovë nuk kanë ngrohje, dhe shumë mangësi të tjera

Infrastruktura mbetet 'thembra e Akilit' në sportin kosovar, ku edhe 18 vjet pas luftës ka shumë mangësi. Kur temperaturat fillojnë të bien, problemet shfaqen në sipërfaqe, derisa shumica e palestrave nuk i plotësojnë kushtet, pasi nuk kanë nxehje, por edhe shumë kritere të tjera të kërkuara. Kjo iu vështirëson shumë punën klubeve të sporteve me dorë, që e kanë vështirë të stërviten në temperatura minus, si dhe të zhvillojnë ndeshje.

Nuk është bërë asgjë për infrastrukturën sportive

Trajneri shumëvjeçar i volejbollit, Naser Krasniqi ka thënë se ky mbetet njëri nga problemet më të mëdha në sportin kosovar, derisa nuk është bërë asgjë në vitet e fundit. "Këtë temë e shtjellojmë kohët e fundit vazhdimisht dhe mbetet vetëm si temë aktuale, por në realitet mbetet një nga problemet më të mëdha që ballafaqohet sporti ynë, që nga pas lufta e këndej. Sportet me dorë (basketbolli, hendbolli e volejbolli), që zhvillojnë aktivitetet e tyre në palestra e kanë vështirë të arrijnë rezultate të dëshiruara në këto kushte. Palestrat i kemi të trashëguara nga paralufta, madje disa janë shkatërruar pas luftës, sikur Palestra e madhe në Pallatin e Rinisë. Sot pas kaq shumë viteve kryeqendra e Kosovës, Prishtina ka një palestër aktive, që deri diku i plotëson standardet, që kërkohet nga organizatat ndërkombëtare, kurse palestra '1 Tetori', është jashtë funksionit për gara ndërkombëtare, i mungon ngrohja, ndriçimi, zhveshtoret dhe shumë e shumë gjëra të tjera", ka thënë Naser Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Kujtojmë që institucionet ndërkombëtare kanë kërkuar që palestra në Prishtinë ose t'i plotësojë kushtet për gara ndërkombëtare, ose Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll dhe hendboll nuk do të lejohen t'i zhvillojnë ndeshjet si vendas në kryeqytetin e Kosovës. Palestra duhet t'i ketë 3 mijë ulëse, ndriçim më të mirë dhe disa kritere tjera. 

Palestrat e ftohta 

Në përgjithësi, në Kosovë, palestrat në Kosovë nuk i plotësojnë kushtet për gara, pasi shumica janë të ftohta. Këtë problem e kanë thuajse të gjitha klubet në Kosovë. Krasniqi thotë se në këto kushte nuk duhet kërkuar as suksese. "Ne si shoqëri nuk kemi aspak arsye që të kërkojmë suksese në garat ndërkombëtare, derisa sportistët veprojnë në këso kushte. Gjatë dimrit asnjë palestër në Kosovë nuk ka ngrohje, që do të thotë se aty nuk mund të mbahet asnjë aktivitet, dhe kjo është dëshmi se kemi vetëm premtime dhe asgjë nuk po përmirësohet në infrastrukturën sportive, pa marrë parasysh ndërtimin e disa palestrave në disa komuna të investuara nga Ministria e Sportit. Këto palestra nuk menaxhohen mirë dhe pas një kohe të shkurt shkatërrohen. Duhet të ketë qasje tjetër për palestrat sportive në Kosovë. Në Prishtinë, më së paku duhet të kemi edhe dy palestra të reja për të përmbushur kërkesat e sportistëve", përfundoi Naser Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Këtë problem e kanë përmendur edhe shumë trajnerë e sportistë në Kosovë, derisa kushtet vazhdojnë të jenë të njëjta, dhe sportistët veprojnë në kushte shumë të rënda.

(Kosova Sot) 

1 orë e 26 minuta më parë