Futbolli luhet për gola, tek ne kjo po mungon

  • 21 October 2017 - 09:55
Futbolli luhet për gola, tek ne kjo po mungon

EFIKASITETI NË KËTË FILLIM TË GARAVE DUKET TË JETË SHUMË I ZBEHTË

Sulmuesit në këtë start të garave nuk po e gjejnë veten

"Është shumë e vërtetë që në këtë start të kampionatit kemi pak gola dhe kjo nuk është e bukur për tifozë. Mirëpo, pse po ndodh kjo? Unë them se ekipet kryesisht janë të fokusuara që mos të pranojnë gol sesa të shënojnë gol. Kjo edhe po bën që hapësirat për sulmuesit të jenë shumë të vogla", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" sulmuesi drenicas, Granit Arifaj

Futbolli cilësohet si sporti më masovik në botë, pasi emocionet që prodhon kjo lojë është vështirë t'i gjesh diku tjetër. Pa dyshim kulmi i gjithë asaj kënaqësie që ofron futbolli është goli, të gjithë e duan dhe luftojnë për të. Zaten për këtë arsye edhe shikuesit gjinden në stadium. Mirëpo, sa është i pranishëm goli në futbollin tonë, dorën në zemër në këto 11 ndeshjet e para të elitës së futbollit, ai është parë rrallë, gjë e cila edhe po bën që kampionati ynë të duket jo i bukur, aspak joshës e atraktiv për shikues. Në 11 ndeshjet e fazës së parë të Vala Superligës, skuadra më efikase është Drita që ka shënuar 15 gola, efikasitet ky tejet i dobët pasi i bie që në shumicën e ndeshjeve është shënuar vetëm një gol. Analistët në këtë situatë fajësojnë trajnerët, ku sipas tyre, ata në këtë start të garave janë të përkushtuar vetëm te rezultati e assesi edhe te loja e bukur për sy. Kështu mendon edhe sulmuesi i njohur, Granit Arifi, i cili njihet për golat e bukur që i sjellë shikuesve, por ja që këtë edicion në fanellën e Feronikelit sikur po "agjëron" më shumë sesa që duhet. "Po luhet futboll shumë defensiv dhe kjo po ndikon të kemi pak gola", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" Arifaj.

Faji te sulmuesit?

Për mungesë të golave është shumë e arsyeshme të fajësohen sulmuesit, pasi ata edhe janë të thirrur për të shënuar, megjithatë tek ne jo gjithçka varet nga sulmuesit. Shumë skuadra këtu janë të interesuara vetëm për pikë dhe kur zhvillojnë ndeshje si mysafirë ato mbyllen aq shumë vetëm e vetëm që të mbesin të pamposhtura. Kështu thotë edhe sulmuesi drenicas, i cili po shpreson se ky mentalitet të ndryshojë. "Është shumë e vërtetë që në këtë start të kampionatit kemi pak gola dhe kjo nuk është e bukur për tifozë. Mirëpo, pse po ndodh kjo unë them se shumë skuadra po luajnë lojë të mbyllur e që nuk mund të shërbejë në të mirë të futbollit. Ekipet kryesisht janë më shumë të fokusuara që mos të pranojnë gol sesa të shënojnë gol. Kjo edhe po bën që hapësirat për sulmuesit të jenë shumë të vogla", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" ish-sulmuesi i shumë skuadrave kosovare, aktualisht pjesë e Feronikelit, Granit Arifaj.

Asgjë nuk do të ndryshojë

Me kalimin e kohës po besohet se kampionati do të fillojë të nxehet dhe gjërat do të ndryshojnë edhe në këtë aspekt. Mirëpo, kështu nuk mendon Arifaj sipas të cilit, klubet këtë vit primare do ta kenë rezultatin dhe se edhe efikasiteti nuk do të ndryshojë. Madje ai nuk beson se ndonjë sulmuesi i Superligës do të arrijë shifrën e 15 golave. "Unë nuk pres se klubet do të hapen në vazhdim të kampionatit dhe do të kemi shpërthim të sulmueseve. Kjo lojë defensive do të vazhdojë deri në fund dhe sipas mendimit tim, maksimum gola që do të arrijë një sulmues këtë edicion është 15", ka përfunduar Granit Arifaj. Të kujtojmë se sivjet gjërat janë shumë të komplikuara, pasi objektivat e skuadrave janë të mëdha. Disa po luftojnë për titullin e kampionit e disa me çdo kusht e dëshirojnë Kupën e Kosovës, dy trofe këto që dërgojnë në garat Evropiane, derisa edhe lufta për ekzistencë pritet të jetë bukur e ashpër, gjëra këto të cilat bëjnë që skuadrat dhe trajnerët mos të lëshohen shumë në aventura, por të mendojnë vetëm për të ardhur te rezultati.

(Kosova Sot)