Dhuna po e fundos SUPERLIGËN

  • 23 October 2017 - 09:00
Dhuna po e fundos SUPERLIGËN

Dhuna e shfaqur në ndeshjen Flamurtari - Vëllaznimi, e cila u desh të ndërpritet pas sulmit të tifozëve vendas ndaj lojtarëve gjakovarë, por edhe tensione e shfaqura në sfidën, Drita - Trepça'89 e Liria - Llapi, janë sinjale se elita e futbollit po rrezikon të futet në një rrugë pa dalje. Jemi vetëm në vitin e dytë të pranimit ndërkombëtar dhe ngjarjet e shfaqura që nga fillimi i këtij kampionati, duke nisur nga akuzat e rënda të trajnerëve në adresë të gjyqtarëve, tensioneve në tribuna e deri te ajo më e keqja ndërprerje të ndeshjes, mund të na japin një goditje të rënd në raport më UEFA-n e FIFA-n. Imazhet nga ndeshja Flamurtari - Vëllaznimi vërtet ishin të rënda dhe askush prej atyre që e duan futbollin nuk do të donte t'i shihte. Skuadra e Flamurtarit kërkoj falje për atë që u pa, duke u distancuar nga individët që hynë në fushë dhe sulmuan gjakovarët. Dorën në zemër, një skuadër në Kosovë e ka shumë vështirë të organizojë një ndeshje si duhet, duke e ditur infrastrukturën që posedojnë, aq sa e ka të vështirë edhe vetë policia ta bëjë sigurinë në këto stadiume, kështu që një pjesë e përgjegjësisë bie edhe mbi vet Federatën e cila duhet t'i forcojë kriteret karshi licencimit të stadiumeve për ndeshjet e Superligës. Se çfarë ndikimi do të kenë këto pamje në vazhdim të kampionatit mbetet të shihet, por nëse nuk intervenohet me kohë, dhuna vetëm mund të përshkallëzohet.

Vëllaznimi i do pikët e plota

Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës pritet të mblidhet sot dhe të marrë vendim për ndeshjen Flamurtari - Vëllaznimi, e cila u ndërpre në minutat shtesë të ndeshjes kur ishte rezultati 1:1. Se cili do të jetë verdikti përfundimtar mbetet të shihet, por sipas rregulloreve Vëllaznimi duhet ta fitojë ndeshjen me rezultat zyrtar 3:0. Gjithsesi, dilema mbetet nëse gjyqtari e ka përfunduar ndeshjen apo e ka ndërprerë dhe kjo do të dihet pas deklaratave të deponuara në FFK. Skuadra gjakovare ka reaguar në këtë situatë dhe ka kërkuar pikët e plota, madje ajo ka kërcënuar se nëse nuk marrin pikë e plota do të tërhiqen nga garat. Një kërkesë tjetër e Vëllaznimit është edhe mundësia e shtyrjes së ndeshjes në mesjavë ndaj Lirisë, kjo për shkak të traumave që kanë marrë lojtarët, por disa janë edhe të lënduar nga sulmi.

Prishtina merr kryesimin

Sa i përket ndeshjeve që janë zhvilluar të premten dhe të shtunën, pasi e diela ishte ditë pushimi për shkak të zgjedhjeve lokale që u mbajtën në vendin tonë, ato kanë sjellë rezultate mjaft interesante. Fitoren më të thellë e ka shënuar Prishtina, e cila në Drenas e ka mposhtur Besën me rezultat 4:0, fitore kjo që i ndihmojë skuadrës së Mirel Josës ta marrë kryesimin e renditjes tabelore. Prishtina ishte më e mirë në çdo aspekt ndaj Besës duke e mposhtur shumë më lehtë sesa është pritur. Skuadra pejane gjithmonë është treguar rivale e madhe e Prishtinës, por ja që kriza që e ka kapluar këtë ekip po bën që ai dalëngadalë ta humbas shkëlqimin. Golat për fitoren e Prishtinës i shënuan Gauthier Mankenda, Ahmed Januzi dhe dy herë Ergyn Ahmeti. Pavarësisht fitores së thellë, trajneri i bardhekaltërve ka kërkuar përmirësim të ekipit në disa raste. "Mua thjesht nuk më intereson shumë vendi i parë momental, por ecuria e skuadrës nga ndeshja në ndeshje. Kemi hyrë në fushë me probleme të mungesave, por lojtarët të cilët luajtën e plotësuan detyrat ashtu siç duhet dhe e uroj skuadrën për këtë hap që bënë. Pavarësisht nivelit të kundërshtarit, mua më pëlqeu se si skuadra ime e vlerësoi ndeshjen dhe duke vlerësuar kundërshtarët . Ne patëm problemet tona ashtu siç kanë edhe skuadrat më të mëdha, por mua më intereson që nga java në javë të zvogëlojmë gabimet e të përmirësojmë lojën tonë", ka thënë Josa. Ndërkohë, dueli tjetër ndërmjet Vllaznisë së Pozheranit dhe Gjilanit u mbyll pa fitues dhe pa gola. Ky barazim ia mundëson Gjilanit pozitën e tretë në renditje, me vetëm dy pikë më pak se Prishtina, derisa Vllaznia mbetet e fundit me 5 pikë, pozitë kjo që maksimalisht ia vështirëson punët trajnerit Bylbyl Sokoli për ta ruajtur statusin e skuadrës elite.

Liria zbret Llapin nga froni

Të kujtojmë se ditën e premte ishin zhvilluar tri takime tjera. Liria pa vështirësi e mposhti Llapin me rezultat 3:0, duke e zbritur njëherësh edhe nga pozita e liderit që kishte deri në atë moment. Ndeshja ishte korrekte në fushë, por tifozët vendas në disa raste krijuan presion në bankinën e mysafirëve, gjë e cila nuk dukej si sjellje e mirë. Në anën tjetër derbi i kësaj jave ndërmjet Dritës e Trepçës'89 u mbyll pa fitues 1:1. Pa fitues përfundoi edhe derbi drenicas, ndërmjet Drenicës e Feronikelit, por që në këtë ndeshje nuk u shënuan asnjë gol.

(Kosova Sot)