Cana: Do të ishte diçka e bukur të merrja ndonjë rol në Marseille

  • 23 October 2017 - 13:41
Cana: Do të ishte diçka e bukur të merrja ndonjë rol në Marseille

Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana e ka pranuar se do të donte të merrte një rol drejtues te skuadra franceze, Marseille

Në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Zona Gol” në SuperSport, Lorik Cana, foli për emocionet e lamtumirës së futbollit në një ndeshje të veçantë, siç ishte ajo mes Marseilles dhe PSG, pasi ish-kapiteni i Kombëtares Shqiptare ka luajtur për të dyja skuadrat e mëdha franceze.

“Unë kam luajtur për të dyja këto skuadra dhe ruaj kujtime shumë të mira. Kam qenë fillimisht pjesë e PSG, ku fitova Kupën e Francës dhe iu afrova shumë edhe titullit kampion. Edhe te Marseilla kam qenë shumë pranë fitimit të kampionatit.”

I tërhequr nga futbolli i luajtur, dëshira e Canës është të ketë një rol drejtuesi te ndonjë skuadër e rëndësishme, pse jo edhe të Marseille.

“Do të ishte diçka e bukur, pse jo. Po të më jepet mundësia, do ta bëj më kënaqësi. Shembulli më i mirë për ne është Igli Tare, si drejtor sportive i Lazios. Është një lloj “busulle” për të gjithë futbollistët e Kombëtares Shqiptare, që dëshirojnë të punojnë në pozicione drejtuese”, tha ai në fund.

(Kosova Sot)